Sport

Besiktas refuzon 20 milionë euro për Ernest Muçin


Ernest Muçi

Gjigandët turq të Besiktas-it kanë refuzuar një ofertë prej 20 milionë eurosh për talentin shqiptar, Ernest Muçi, bëri të ditur presidenti i tyre, Hasan Arat.

Muçi u transferua te Besiktas-i vetëm në janar nga Legia e Varshavës për 10 milionë euro, por ai ka lënë gjurmë të dukshme në Turqi.

Ish-lojtari i Tiranës firmosi për 3.5 vite në Stamboll, ku deri më tani ka shijuar një periudhë të mirë me dy gola në shtatë ndeshje.

Gjatë një interviste për gazetën turke “Takvim”, presidenti i Klubit të Besiktas-it, Arat, tha: “Një klub europian bëri një ofertë prej 20 milionë eurosh për Ernest Muçin. Megjithatë, unë e refuzova ofertën”.

Dhe, ai shtoi: “Ai është një lojtar me potencial të madh dhe ne duam që ai të qëndrojë me ne sezonin e ardhshëm”.

Megjithatë, Presidenti i Besiktas-it nuk e bëri të ditur emrin e klubit. Sipas disa raporteve të mëparshme nga Turqia, Aston Villa është në mesin e klubeve që interesohen për Muçin.

Muçi është bërë mënjëherë një lojtar i rëndësishëm për Besiktas-in, duke u përfshirë në formacionin titullar që nga mbërritja e tij.

Aktualisht “Shqiponjat e Zeza” renditen në vendin e katërt në tabelën e Superligës turke me 46 pikë. 84 pikë ka Galatasaray i vendit të parë dhe 79 Fenerbahçe e vendit të dytë. Trabzonspor-i mban vendin e tretë me 49 pikë.

Kur kanë mbetur edhe tetë javë nga përfundimi i kampionatit, Besiktas-i duket se do të luftojë me Trabzon-in për një vend në UEFA Europa League, pasi aktualisht renditet në vendin që të kualifikon në Conference League.

Ndeshja e radhës për Muçin dhe Besiktas-in do të jetë një derbi me Istanbul Basaksehir-in. Dueli do të luhet të enjten, duke filluar nga ora 19:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore