Shqipëria

Berisha nga Lezha: 8 janari faqe e zezë e qeverisë, Rama autori i sulmit të PD-së


“8 janari është faqja më e zezë e 30 viteve të një qeverie. Edi Rama faktoi se ishte autori i vërtetë pushtimit të selisë, shtëpisë tonë, PD”.

Kështu është shprehur ish-kryeministri Sali Berisha, nga Lezha referuar protestës të thirrur nga vetë ai me 8 janar, ku ka nisur takimin me demokratët në 31 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.

“Edi Rama rrethoi Lulzim Bravën, pengun e tij, jo vetëm me tetë oficerë garde, me në krye komandantin e rojes së personaliteteve, por Edi Rama i pajisi ata me të gjitha mjetet e dhunës të një policie agresive”.

Sipas Berishës, me 8 janar, në një skenar të parapërgatitur, kryeministri Edi Rama, “vërsuli me kërkesa direkte nga Beogradi, të faktuara, hordhitë e narkobanditëve me uniformë, kundër demokratëve paqësorë”.

Ish-kryetari i PD-së, hodhi akuza dhe për kryedemokratin, Lulzim Basha se e ka shndërruar “selinë e PD në një strofull krimi dhe kriminelësh, të cilët vendin e kishin në qeli dhe vetëm në qeli”.

Më 8 janar të këtij viti, dhjetëra qytetarë kanë kërkuar largimin e lidership-it zyrtar të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Fill pas protestës, Policia e Shtetit arrestoi në flagrancë 34 shtetas dhe procedoi penalisht 18 të tjerë, të dyshuar për vepra penale të ndryshme.

Ndër të tjera, Berisha theksoi se Shqipëria është i vetmi vend ku kreu i qeverisë mendon se do mbajë peng pluralizmin.

“Demokratët sot janë më të diskriminuar dhe më të ndëshkuarit, por sërish janë njerëzit më të lirë të këtij vendi. Sot ne kemi një armik më të rrezikshme se ai që kishim në vitet ’91. Ai që kishim në atë kohë ishte diktator i cili në biografinë e tij kishte kryer vrasje politike.

Sot, sipas ish-kryetarit të PD-së, partia është më e fuqishme se kurrë.

Përjashtimi i Berishës

Më 10 janar, Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë së forcës politike vendosi të përjashtojë nga PD, ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj, Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Kjo lëvizje e Bashës dhe kryesisë së demokratëve, është edhe ajo më drastike, pas protestës së zhvilluar nga Berisha dhe mbështetësit e tij më 8 janar në selinë blu.

Vendimi, erdhi, thuajse ekzaktësisht katër muaj pasi Basha e pezulloi Berishën nga Grupi Parlamentar.

Saga Basha-Berisha

Një sagë e vërtetë që prej majit 2021 – ditë kur Sali Berisha u shpall si persona non grata nga SHBA-të – ka nisur brenda PD-së, në etapa të ndryshme.

Fillimisht, replikat ndaheshin në distancë, mes Berishës, Bashës dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Më pas, me vendimin e Bashës më 9 shtator, një ditë përpara fillimit të punimeve të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, Berisha nisi replika të fuqishme me kreun e demokratëve dhe vendosi të ndërmarrë një seri foltoresh në gjithë Shqipërinë.

Nën pretendimin se ai kishte mbledhur mbi 4 mijë e 400 firma nga delegatët, ish-kryeministri thirri një Kuvend Kombëtar të PD-së, më 11 dhjetor 2021.

Aty, ndër të tjera, u vendos edhe shkarkimi i Bashës nga detyra. Gjë, që Berisha pretendoi se e legjitimoi me anë të një referendumi në anëtarësi, më 18 dhjetor.

Po në këtë datë, Basha thirri Kuvendin Kombëtar të PD-së – sipas statutit – ku u vendos përjashtimi nga strukturat i atyre të përcaktuar si non grata nga Departamenti i Shtetit.

Me secilin nga politikanët të vetëlegjitimuar, Berisha iu kthye rrugës, duke thirrur protestën e 8 janarit.

Mirëpo, qëllimin për të rrëzuar Bashën e për ta nxjerrë nga selia, nuk e arriti.

Tashmë, është Basha, ai i cili e nxjerr Berishën përgjithmonë jashtë PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore