Sport

Berisha dhe Rugova kanë më së shumti paraqitje te Kosova


Dardan Berisha dhe Fisnik Rugova janë basketbollistët që kanë më së shumti paraqitje me kombëtaren e Kosovës në basketboll.

Të dy kosovarët kanë shënuar nga 29 paraqitje me Dardanët, duke munguar në vetëm tri ndeshje zyrtare.

Kosova deri më tani ka zhvilluar 32 ndeshje në garat zyrtare ndërkombëtare, duke mos përfshirë takimet miqësore.

Si Berisha, ashtu edhe Rugova, janë pjesë e Kosovës nga fillimi, kur nisi rrugëtimi në garat evropiane, në kualifikimet për Eurobasket 2017.

Dardani dhe Fisniku luajtën nga gjashtë ndeshje në këto kualifikime nga gjashtë të mundshmet.

Në parakualifikimet për Botëror 2019, luajtën nga katër takime, në kualifikimet për Botëror, Berisha luajti në pesë përballje, kurse Rugova në katër.

Në parakualifikimet për Evropianin 2021, basketbollisti pejan zhvilloi tetë sfida, kurse ai prishtinas shtatë.

Në parakualifikimet për Botëror 2023, Dardan Berisha luajti në katër ndeshje, kurse Fisnik Rugova në gjashtë, kurse në sfidat e fundit parakualifikuese për Eurobasket 2025, të dy lojtarët kanë qenë të rregullt në grumbullime me Kosovën, ndërsa të dy basketbollistët janë ftuar për ndeshjen me Norvegjinë.

Kosova tani ndeshjen e radhës do ta zhvillojë përballë Norvegjisë më 27 shkurt në ora 19:00 në palestrën “Minatori” të Mitrovicës, ndeshje kjo në kuadër të rrethit të parë parakualifikues për Eurobasket 2025.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore