Sport

Belotti flet para mediave: Vetëm Roma ishte prioriteti im


Andrea Belotti iu bashkua Romës para pak ditësh si futbollist i lirë, pasi nuk vazhdoi kontratën me Torinon.

Ai luajti për pak minuta në ndeshjen e fundit që Roma e fitoi ndaj Monza-s, derisa gjatë ditës së sotme (e enjte) e ka bërë prezantimin me klubin e tij të ri.

Në fjalët e tij të para si një futbollist i verdhekuqve, sulmuesi thekson se kërkoi me ngulm transferimin te kryeqytetasit.

“Prioriteti im ishte të transferohesha te Roma sepse e dija që klubi ka një projekt të qartë. Drejtuesit dhe skuadra janë ambicioz”, tha fillimisht Belotti.

“Unë nga ana tjetër, nuk kërkoja një kontratë që të më ‘përkëdhelte’ apo të më mbronte, nuk mendoja kaq shumë”.

“Dija vetëm se Roma ishte prioriteti. Fizikisht jam mirë sepse jam stërvitur me një përgatitës atletik, megjithatë kam bërë vetëm disa seanca stërvitore me skuadrën dhe duhet të punojë ende për të kuptuar edhe idetë e trajnerit në fushë”.

Ai më pas u pyet edhe për objektivat e Romës për këtë sezon që sapo ka filluar në Serie A.

“Objektivi i Romës është të fitojmë ndeshje pas ndeshje dhe më pas të shohim se çfarë pozicioni do të kemi. Por, nuk vendosim limite”, shtoi sulmuesi italian.

Ai më pas foli edhe për ish-shokun e tij, Paolo Dybala-n, me të cilin kishte luajtur te Palermo, derisa pati disa fjalë edhe për konkurrencën në sulm me Tammy Abraham.

“Konkurrenca është thjesht një mundësi më shumë për t’u rritur, Abraham është një sulmues shumë i mirë dhe diçka e tillë më motivon të bëj më shumë në çdo stërvitje”, tha Belotti.

“Pastaj takimi me Dybala-n ishte shumë i këndshëm, kemi folur për rrugët tona nga koha kur ishim pjesë e Palermos. Edhe pse në vijim shkuam në të njëjtin qytet, Torino, por me skuadra të ndryshme. Tani e kemi rigjetur njëri-tjetrin shumë më të rritur dhe të matur, te Palermo ishim fëmijë”, u shpreh Belotti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore