Stil

Bella Hadid thyen heshtjen mbi luftën Izrael-Palestinë: Jam kërcënuar me vdekje, zemra po më rrjedh gjak nga dhimbja


Modelja e famshme, Bella Hadid ka hyrë në Instagram për të bërë thirrje për “njerëzimin dhe dhembshurinë” në një deklaratë që adreson dhunën në Palestinë dhe Izrael.

Supermodelja gjysmë palestineze ka qenë një mbështetëse e zëshme e të drejtave palestineze, dhe më parë ka marshuar në protesta në mbështetje të lëvizjes së Palestinës së Lirë.

Ajo hapi deklaratën e saj të gjatë të 26 tetorit – e cila vjen pak më shumë se një javë pasi motra e saj e madhe Gigi.

“Më janë dërguar qindra kërcënime me vdekje çdo ditë, numri im i telefonit është zbuluar dhe familja ime është ndjerë në rrezik”, shkroi Hadid.

“Por unë nuk mund të hesht më. Frika nuk është një opsion. Populli dhe fëmijët e Palestinës, veçanërisht në Gaza, nuk mund ta përballojnë heshtjen tonë. Ne nuk jemi të guximshëm – ata janë”, shtoi Bella.

Duke iu referuar pasojave të sulmeve ajrore në Gaza, Hadid u shpreh: “Zemra ime po rrjedh gjak nga dhimbja nga trauma që po shoh të shpaloset, si dhe nga trauma e gjeneratave të gjakut tim palestinez”.

Ajo vuri në dukje se është gjithashtu në zi për familjet izraelite që kanë pësuar humbje dhe ndarje nga më të dashurit e tyre.

“Pavarësisht historisë së tokës, unë dënoj sulmet terroriste ndaj çdo civili, kudo. Dëmtimi i grave dhe fëmijëve dhe shkaktimi i terrorit nuk i bën dhe nuk duhet të bëjë ndonjë të mirë për lëvizjen e Palestinës së Lirë. Unë besoj thellë në zemrën time, se asnjë fëmijë, asnjë popull askund, nuk duhet të hiqet nga familja e tyre përkohësisht ose pafundësisht”, shtoi Bella.

Hadid vazhdoi të kundërshtonte perceptimin e palestinezëve si “asgjë më shumë se terroristë që i rezistojnë paqes”.

Ajo vuri në dukje historinë e familjes së saj, duke treguar se babai dhe gjyshërit e saj “u dëbuan nga shtëpia e tyre në Palestinë, duke u bërë refugjatë” nëntë ditë pas lindjes së tij në vitin 1948.

“Familja ime ishte dëshmitare e 75 viteve të dhunës kundër popullit palestinez – veçanërisht brutale pushtimet e kolonëve që çuan në shkatërrimin e komuniteteve të tëra, vrasje me gjakftohtësi dhe largimin me dhunë të familjeve nga shtëpitë e tyre”, shkruan ajo.

“Praktika e vendbanimeve në tokën palestineze vazhdon edhe sot e kësaj dite. Dhimbja e kësaj është e paimagjinueshme”, ka shtuar ajo.

Përfundimisht, Hadid bëri një thirrje për “njerëzimin dhe dhembshurinë”.

“Ne jemi një dhe Zoti i ka krijuar të gjithë të barabartë. Të gjitha gjakderdhjet, lotët dhe trupat duhet të vajtohen me të njëjtin respekt”, shkroi ajo.

Deklarata e saj përfundoi duke kërkuar për një përgjigje globale ndaj nevojave humanitare në Gaza.

“Ne duhet të mbajmë presion mbi udhëheqësit tanë, kudo që jemi, për të mos harruar nevojat urgjente të popullit të Gazës dhe për të siguruar që civilët e pafajshëm palestinezë të mos jenë viktimat e harruara të kësaj lufte”, tha ajo.

“Unë qëndroj me njerëzimin, duke e ditur se paqja dhe siguria na përkasin të gjithëve”, përfundoi Bella Hadid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore