Shqipëria

Begaj: Shqipëria do të jetë krah i Kosovës përballë çdo kërcënimi


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ia ka uruar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke thënë se Shqipëria do të jetë krah i Kosovës përballë çdo kërcënimi.

“Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës, në çdo hap të saj për përballimin e çdo kërcënimi si dhe për anëtarësimet e reja në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Presidenti Begaj në telegramin e urimit.

Ai tutje e ka vlerësuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitet e fundit.

“E vlerësoj intensifikimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve tona, sidomos në kuadër të bashkëpunimit të natyrshëm strategjik, si dy republika të një kombi, fatet e të cilat janë të lidhura pashmangshmërisht me qytetërimin euroatlantik”, thuhet në letrën e presidentit Begaj dërguar Osmanit.

Urimi i Begaj vjen me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Osmani, gjatë ditës me rastin e pavarësisë ka pranuar letër edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore