Shqipëria

Begaj shpresëplotë për pranimin e Kosovës në KiE: Shqipëria do të jetë avokate e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria do të jetë avokate e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime, gjatë një konference për shtyp në Prishtinë me homologen kosovare, Vjosa Osmani, ku dy krerët e shtetit kanë qenë pjesëmarrës në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizuar nga kjo e fundit.

Në fjalën e tij, Begaj u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të të njëjtit komb.

Ai theksoi se Shqipëria do të jetë një avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, ndërsa u tregua shpresëplotë për votimin që do të zhvillojë nesër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve nuk do i quaja shumë të mira, por janë jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore. Jemi dy shtet dhe një komb, Kemi detyrën të jemi pranë njëri-tjetrit në ditë të mira dhe të vështira. Marrëveshjet që kemi firmosur duhet të implementohen dhe të preken nga njerëzit sa më shpejt. Mendoj se Porti i Durrësit apo hekurudha që do lidhë vendet më shpejt janë të rëndësishme për ne”, përmendi Begaj.

Ai më tej tha se politika e jashtme shqiptare është e linjëzuar me atë evropiane dhe atlantike.

“Pas një mandati të suksesshëm në Këshillin e Sigurimit, do jemi avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, përmblodhi.

Teksa, në fund, tha se është shpresëplotë se nesër do kemi një votim të suksesshëm në KiE.

“Kjo do të na japë më shumë frymëzim për të bërë punë të mira në të ardhmen”, përfundoi Begaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore