Shqipëria

Begaj në Kosovë: Konfliktet në Ballkan, kujtesë e dhimbshme e çmimit të shtrenjtë të paguar nga gratë


Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po zhvillohet në Kosovë.

Fokusi në fjalën e tij ka qenë te roli i grave për paqen dhe sigurinë. Por edhe te konfliktet e hershme në Ballkan, për të cilat ka thënë se çmimin më të rëndë e kanë paguar gratë.

Begaj ka theksuar ndër të tjera se ka ende shumë punë për të forcuar gratë dhe barazinë gjinore.

“Ky takim është dëshmi e zotimit tonë të përbashkët ndaj paqes dhe sigurisë. Reflektojmë për kontributin e Kosovës për një të ardhme përparimtare, ku roli i grave do jetë themelor. BP ka qenë dëshmitar i konflikteve që kanë lënë shenjë ta paharrueshme në tokat tona, por edhe në zemrat tona dhe gjithmonë do mbetet në kujtesën tonë historike”, ka thënë ai.

Sipas presidentit, ndër ata që kanë mbajtur barrën më të rëndë të këtyre konflikteve janë gratë.

“Këto konfliktet na shërbejnë si një kujtesë e dhimbshme të çmimit aq të shtrenjtë të paguar veçanërisht të paguar nga gratë. Jemi bërë bashkë për të ritheksuar përkushtimin ndaj bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm për të nxitur paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Ai sakaq ka veçuar se paqja dhe siguria nuk mund të garantohet pa barazinë e plotë të burrave dhe grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.

“I rëndësishëm është arsimi për gratë dhe vajzat, investimi për arsimin tyre hap jo vetëm mundësi të reja, por i përgatit për të sfiduar normat dhe tabutë”, ka shtuar Begaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore