Lajme

Begaj: Kosova t’i dëgjojë këshillat e SHBA-së dhe BE-së


Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në një intervistë për Radio Televizionin e Shqipërisë, ka thënë se Kosova duhet të dëgjojë më shumë këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, derisa ka theksuar se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të padiskutueshme.

“Fat i madh që në Kosovë kemi edhe KFOR-in që garanton sigurinë, kufirin e Kosovës, por çdo vendim që Kosova duhet të marrë, për të zbatuar detyrimet që i takojnë si shtet, do të ishte mirë të bëheshin me këshillimin dhe marrjen e pëlqimit dhe të dëgjonin më shumë këshillat e marra nga SHBA dhe BE”, tha Begaj.

Kreu i shtetit shqiptar theksoi se Shqipëria do shtojë trupat ushtarake në NATO që më pas do shkojnë dhe në veri të Kosovës, ku do t’i bashkohen forcave të KFOR-it.

“Kemi diskutuar edhe për rritjen e kontributit të Shqipërisë  në misione të ndryshme dhe veçanërisht në Kosovë”, potencoi ai.

Tutje, Begaj potencoi se edhe Shqipëria duhet të jetë e përgatitur dhe si vend anëtar i NATO-s ka diskutuar rreth skenarëve të mundshëm të krizave dhe mënyrën e përballimit të tyre.

“Situata e sigurisë globale është e paqëndrueshme, sfida dhe kërcënime të shumëllojshme po destabilizojnë rendin botëror. Ne duhet të jemi të përgatitur. Të qenurit vend anëtar i NATO-s na jep mundësinë të diskutojmë skenarët e mundshëm të këtyre krizave dhe përballimin e tyre”, shtoi.

“Natyrisht përballimi i kërcënimeve dhe sfidave nuk mund të bëhet vetëm, duhet të jemi bashkë. Shqipëria si vend anëtar i NATO-s patjetër që bën vlerësimin e risqeve dhe kërcënimeve të situatave globale dhe në vend”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore