Muzikë

Bebe Rexha dhe David Guetta shënojnë suksesin tjetër me bashkëpunimin e tyre “I’m Good (Blue)”


Këngëtarja shqiptare me famë internacionale, Bebe Rexha dhe DJ i njohur francez, David Guetta po vazhdojnë të shijojnë suksesin e bashkëpunimit të tyre të fundit “I’m Good (Blue)”.

Ripërpunimi i këngës ikonike “Blue” të Eiifel 65, i solli dyshes, Rexha e Guetta një sukses të kënaqshëm, teksa së fundmi e njëjta ka arritur të sigurojë mbi një miliard dëgjime në platformën, Spotify.

Këtë gjë e kanë bërë të ditur vetë artistët – dyshja kanë shpërndarë një cicërimë të Spotify në llogaritë e tyre në Twitter, kushtuar këngës në fjalë, që këtë vit ishte e nominuar edhe në ceremoninë prestigjioze të ndarjes së çmimeve “Grammy Awards 2023”.

Dhe jo vetëm në ‘Grammys’, “I’m Good (Blue)” ka fituar çmimin e “Bashkëpunimit më të mirë” në “MTV Europe Music Awards 2023”.

Por, ky nuk është bashkëpunimi i tyre i vetëm. Me siguri, shumë prej jush mund ta kujtoni këngën “Hey Mama” , që dyshja e patën sjellë në bashkëpunim me Nicki Minaj dhe Afrojack.

“Hey Mama” ishte një nga hitet më të suksesshme të vitit 2015, derisa e njëjta numëron 1.6 biliardë klikime në platformën YouTube.

Përndryshe, së fundmi Bebe Rexha ka zbuluar se në repertuarin e saj tashmë ka një këngë të destinuar për tregun shqiptar e që mund të titullohet “Të dua”.

Publikimi i saj mund të bëhet në një të ardhme të afërt, derisa këngëtarja ka ndarë me mbi 10 milionë ndjekësit e vet në Instagram, një sekuencë të shkurtër të këngës në fjalë.

“A ta lansojmë këtë? A ta lansojmë këngën shqipe në verë?”, dëgjohet ajo duke pyetur, ndërkohë që në sfond fillon muzika.

Bebe nuk ka ndarë detaje të tjera nga projekti në ardhje, veç se nisur nga suksesi që ajo ka korrur ndër vite në tregun ndërkombëtar, nuk ka vend për dyshime se “Të dua” do të jetë një mega hit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore