Lajme

BE për Albanian Post, me qëndrime të dyzuara mbi refugjatët afganë


Një postim në Twitter i kryeministrit slloven, Janez Jansa, ka ngjallur polemika të shumta në çështjen e qasjes së Bashkimit Evropian ndaj refugjatëve afganë, pasi kreu i Presidencës së unionit theksoi se “nuk do të ketë kampe për refugjatët afganë brenda kufijve evropianë”.

Nga zyra e shtypit e zëdhënësit për shtyp për Komisionin Evropian, Eric Mamer, bëhet me dije për Albanian Post se ka një vërtetësi për postimin e Jansas.

Sipas Mamer, afganët, të cilët kanë ndihmuar NATO-n në misione, do të ndihmohen nga BE-ja.

Mirëpo, afganët e tjerë, jo!

Në terma të gjerë, do të vlerësohet mbi baza të ligjit për azilantët. Kështu, të gjithë ata afganë që nuk kanë ndihmuar NATO-n, do të kthehen në vendin e origjinës, pra në Afganistan. Mamer e ka cilësuar këtë një “kthim të sigurt”.

Mirëpo, siguria e afganëve nën pushtetin dhe zgjedhën e talebanëve, është e diskutueshme, parë dhe aspektin historik.

Por, në kundërshti me këtë fakt, bie presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila mendon se duhet të ketë një unifikim të qëndrimeve të unionit mbi paktin e propozuar për migrantët dhe azilantët që po përballen me situatën e Afganistanit.

Pas një takimi të mbajtur nga vendet e Samitit të G7, ka pasur dakordësim mbi ndihmën që u duhet dhënë afganëve.

Ky qëndrim, përtej gjithçkaje, bie ndesh me atë që ka shprehur Mamer.

“Jemi dakord se është detyrë morale e jona t’i ndihmojmë afganët”, thotë Von der Leyen.

Por, kjo ndihmë, mundet edhe të jetë në formën e shpërndarjes së ushqimeve, ndihmës shëndetësore etj. Një aspekt i rëndësishëm, por që nuk zgjidh krizën me të cilën ata njerëz përballen.

Alokimi i fondeve është i rëndësishëm, por jo aq jetësor sa strehimi i personave të rrezikuar.

Nga zyra e kryeministrit slloven ndërkaq, përgjigja për Albanian Post është e prerë: “Nuk ka asnjë koment mbi postimin e tij”.

Kështu, edhe mbi këtë skenar, BE-ja nuk ka një qasje të unifikuar mes vetes.

Përjashto disa vende të unionit, të tjera as që e kanë marrë parasysh faktin e strehimit të afganëve.

Kështu, duke hequr dorë kategorikisht nga pranimi i tyre.

Nga ana tjetër, vende aleate me SHBA-në, si Kanadaja apo Britania e Madhe, kanë marrë përsipër strehimin e 21 mijë dhe 20 mijë afganëve.

Strehim, i cili deri tani nuk ka miratim nga BE. E vetmja gjë që ka, është qëndrimi i dyzuar edhe mes burokratëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore