Shqipëria

BE ndan ndihmë financiare për Kosovën dhe Shqipërinë


Bashkimi Evropian

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë ndarë 14.2 miliardë euro si ndihmë financiare për shtetet që janë në proces të zgjerimit. Këto mjete do të vlejnë për periudhën 2021-2027.

Shtetet të cilat do të përfitojnë janë: Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Islanda, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Përmes një deklarate të Bashkimit Evropian thuhet se këto mjete do t’u ndihmojnë atyre të zbatojnë reforma, me synim anëtarësimin e ardhshëm në BE.

“Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet përpjekjeve të bëra në fushat e reformave themelore (sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe reforma e administratës publike, si dhe zhvillimi ekonomik dhe konkurrenca)”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, ndihma financiare nuk do të jetë pa kushte.

Sipas deklaratës, ndihma do të ndryshojë në sasi dhe intensitet, varësisht performancës së përfituesve.

Me të po ashtu bëhet e ditur se shtrirja dhe intensiteti i ndihmës mund të pësojnë modifikime, në rast të mungesës së vazhdueshme të përparimit të përfituesve në fushat e reformave themelore.

Më 24 dhjetor, Bashkimi Evropian (BE) miratoi pagesën në më shumë se 24 milionë euro të derdhura në Thesarin e Kosovës si ndihmë në lidhje me reformat dhe përparimin e axhendës së qeverisë.

Fondet janë pjesë e asistencës së BE-së për të zbutur ndikimin e Covid-19, me qëllim mbështetjen e administratës publike të Kosovës dhe mirë menaxhimin e financave publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore