Lajme

BE miraton sanksione të reja kundër Rusisë, ndalon importin e qymyrit


Bashkimi Evropian miratoi zyrtarisht të premten paketën e pestë të sanksioneve kundër Rusisë që nga pushtimi i vendit në Ukrainë më 24 shkurt, duke përfshirë ndalimin e importit të qymyrit, drurit, kimikateve dhe produkteve të tjera.

Masat gjithashtu parandalojnë shumë anije dhe kamionë rusë që të hyjnë në BE, duke dëmtuar më tej tregtinë dhe do të ndalojnë të gjitha transaksionet me katër banka ruse, përfshirë “VTB”.

Ndalimi i importit të qymyrit do të hyjë plotësisht në fuqi nga java e dytë e gushtit. Asnjë kontratë e re nuk mund të nënshkruhet nga e premtja, kur sanksionet do të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.

Kontratat ekzistuese do të duhet të ndërpriten deri në javën e dytë të gushtit, që do të thotë se Rusia mund të vazhdojë të marrë pagesa nga BE-ja për eksportet e qymyrit deri atëherë.

“Këto sanksione të fundit u miratuan pas mizorive të kryera nga forcat e armatosura ruse në Bucha dhe vende të tjera nën pushtimin rus”, tha në një deklaratë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.

Kremlini ka thënë se pretendimet perëndimore që forcat ruse kryen krime lufte duke ekzekutuar civilë në qytetin ukrainas të Bucha ishin një “falsifikim monstruoz” që synonte denigrimin e ushtrisë ruse.

Vetëm ndalimi i qymyrit vlerësohet nga Komisioni të jetë me vlerë 8 miliardë euro në vit si të ardhura të humbura për Rusinë. Kjo është dy herë më e madhe sesa presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen tha të martën

Përveç qymyrit, sanksionet e reja të BE-së ndalojnë importin nga Rusia të shumë mallrave dhe produkteve të tjera, duke përfshirë dru, gomë, çimento, plehra, ushqim deti të nivelit të lartë, si havjar, dhe pije alkoolike, si vodka, për një vlerë totale shtesë – vlerësohet në 5.5 miliardë euro (5.9 miliardë dollarë) në vit.

BE-ja kufizoi gjithashtu eksportin në Rusi të një numri produktesh, duke përfshirë karburantin e avionëve, kompjuterët kuantikë, gjysmëpërçuesit e avancuar, elektronikën e nivelit të lartë, softëer-in, makineritë e ndjeshme dhe pajisjet e transportit, për një vlerë totale prej 10 miliardë euro në vit.

Sanksionet gjithashtu ndalojnë kompanitë ruse të marrin pjesë në prokurimet publike në BE dhe zgjerojnë ndalimet në përdorimin e kriptomonedhave që konsiderohen si një mjet i mundshëm për të anashkaluar sanksionet.

Komisioni tha se 217 persona të tjerë u shtuan në listën e zezë të BE-së si pjesë e paketës së re të sanksioneve, që do të thotë se asetet e tyre në BE do të ngrihen dhe ata do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit në BE.

Shumica prej tyre janë liderë politikë të rajoneve separatiste të Luhansk-ut dhe Donetsk-ut, por sanksionet godasin gjithashtu biznesmenë të lartë, politikanë dhe staf ushtarak pranë Kremlinit.

Kjo e afron në 900 numrin e personave të sanksionuar nga BE-ja që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Moska e quan një “operacion special” për çmilitarizimin dhe “denazifikimin” e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore