Lajme

BE miraton hapjen e bisedimeve të zgjerimit me Ukrainën dhe Moldavinë


Vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar zyrtarisht nisjen e negociatave të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë javën e ardhshme.

Një tjetër hap ky, në rrugëtimin e gjatë të dy vendeve për t’u bashkuar me bllokun 27-vendesh.

Belgjika, e cila aktualisht mban presidencën e Bashkimit Evropian, tha se vendet anëtare kanë rënë dakord për një kornizë negociuese.

“Këshilli i BE-së i miratoi qëndrimet e përgjithshme të BE-së, përfshirë kornizat e bisedimeve, për bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë”.

“Kjo hap rrugën për nisjen e negociatave të martën, më 25 qershor, në Luksemburg”, ka thënë presidenca belge.

Pas një vlerësimi pozitiv nga dega ekzekutive e BE-së, liderët e BE-së kishin rënë dakord tashmë vitin e kaluar që negociatat e pranimit duhet të fillojnë me të dy vendet.

Procesi midis fillimit të negociatave me Ukrainën dhe fqinjin e saj Moldavinë dhe anëtarësimit të tyre në BE mund të zgjasë shumë vite.

Këshilli i BE-së mbledh përfaqësuesit e qeverive të 27 vendeve që e përbëjnë bllokun.

Nisja zyrtare e bisedimeve me Ukrainën do të bëhet në orën 15:30, ndërsa me Moldavinë në orën 18:00.

Njoftimi vjen dy javë pasi Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e procesit, duke thënë se të dyja vendet janë përgatitura mjaftueshëm për hapjen formale të procesit për t’u bërë anëtare të BE-së.

Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’iu bashkuar BE-së pak pasi filloi pushtimi, ndërsa statusin e vendit kandidat e morën në qershor 2022.

Në dhjetor, ato e morën dritën jeshile për nisjen e bisedimeve.

Pak pas njoftimit të kryesueses së presidencës së BE-së, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, e lartësoi vendimin, duke shkruar në X se ndihet “mirënjohës” ndaj bllokut për “vullnetin e tij të fuqishëm”.

“Miliona ukrainas dhe breza të ndryshme të popullit tonë, po e përmbushin ëndrrën e tyre evropiane. Ukraina po kthehet në Evropë, ku e ka pasur vendin me shekuj, si një anëtare e plotë e bashkësisë evropiane”, ka shkruar Zelensky.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, reagoi në X pas lajmit të premten, duke thënë se e ka nënshkruar dokumentin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me bllokun.

“Anëtarësimi në BE është rruga jonë drejt paqes, prosperitetit dhe një jete më të mirë për të gjithë qytetarët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore