Lajme

BE-ja ripërsërit thirrjen ndaj Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për bojkotimin e votimit në Veri dhe regjistrimin e popullsisë


Flamujt e BE-së.

Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimet e tij sa i përket qëndrimeve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – për bojkotin e referendumit për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore – të banuara me shumicë serbe – dhe thirrjes për bojkotim të regjistrimit të popullsisë, duke thënë se ndjejnë keqardhje për këto veprime të kësaj partie.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për media të martën në Bruksel, ku edhe kujtoi bojkotin e mëparshëm që Lista Serbe e kishte bërë në zgjedhjet lokale më 23 prill të vitit të kaluar, çka kishte hapur rrugë që të zgjidhjen kryetarët shqiptarë.

“Na vjen keq që Lista Serbe ka dashur të mos marrë pjesë në një planin e zgjedhjeve të 21 prillit në katër komunat Veriore [Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut]. Kjo vjen pas vendimit të tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale në katër komunat në Veri të vendit më parë”, ka thënë Massrali.

Megjithatë, zëdhënësja e Unionit i ka kërkuar Listës Serbe që ta shqyrtojë vendimin për bojkot të referendumit edhe njëherë.

“Ne kemi marrë parasysh shqetësimet e serbëve të Kosovës në lidhje me procesin e zgjedhjeve të reja, por gjithsesi i bëjmë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë dhe të mos u mohohet serbëve të Kosovës e drejta e tyre për të shprehur mendimin e tyre politik”, shtoi.

Duke folur për thirrjen që Lista Serbe bëri për serbët lokalë që të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, ajo ka theksuar se BE-ja inkurajon të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në regjistrim, derisa i ka bërë thirrje Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), që të rris kampanjën e informimit, “që të gjithë, duke përfshirë këtu edhe komunitetet joshumicë të marrin informacione të mjaftueshme”.

SHBA-ja inkurajon serbët të marrin pjesë në regjistrimin e popullësisë, shprehet “e zhgënjyer” me thirrjet për bojkot të procesit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore