Lajme

SHBA-ja inkurajon serbët të marrin pjesë në regjistrimin e popullësisë, shprehet “e zhgënjyer” me thirrjet për bojkot të procesit


Ilustrim

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të hënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë “të zhgënjyera” me thirrjet publike që serbët e Kosovës të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë, ndërsa inkurajuan të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në procesin e regjistrimit të popullsisë.

“Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në regjistrimin e popullsisë. Një regjistrim i saktë mundëson shpërndarjen e drejtë të burimeve shtetërore për të gjithë qytetarët. Ne njohim përgjegjësinë dhe autoritetin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar procesin e regjistrimit të popullsisë”, deklaroi shkurt një zëdhënës i DASH-it të hënën.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë – ngjarja më e rëndësishme statistikore e vendit – filloi më 5 prill dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj. Megjithatë, ndonëse censusi për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në pjesën veriore të Kosovës, partia kryesore e serbëve në vend paralajmëroi se serbët nuk do të marrin pjesë.

Ndryshe, procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë u mbajt në vitin 2011. Megjithatë, ky proces nuk u zhvillua në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovë – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – dhe për më tepër, u bojkotua pjesërisht edhe në komunat e tjera të banuara me serbë etnikë në territorin e Kosovës, kryesisht për shkak të Listës Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore