Lajme

BE-ja po përgatit planin B prej 20 miliardë eurosh për të financuar Ukrainën


Bashkimi Evropian po përgatit një plan mbështetës me vlerë deri në 20 miliardë euro për Ukrainën.

Këtë, duke përdorur një strukturë borxhi që anashkalon kundërshtimet e kryeministrit hungarez Viktor Orban për financimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

Zyrtarët – teksa udhëheqësit e BE-së nuk arritën të bien dakord për një paketë katërvjeçare të propozuar prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën në fillim të këtij muaji – kanë kërkuar alternativa për të shpëtuar Kievin nga një krizë buxhetore e afërt.

E gjitha kjo nëse mosmarrëveshjet e bllokut nuk mund të zgjidhen.

Zyrtarët e përfshirë në bisedime kanë thënë se një model i financuar nga borxhi ka fituar tërheqje si mënyra më praktike për të ofruar mbështetje nëse Orbán refuzon të heqë veton e tij në një samit të planifikuar më 1 shkurt.

Kjo skemë do të përfshijë shtetet anëtare pjesëmarrëse për lëshimin e garancive për buxhetin e BE-së, duke i mundësuar Komisionit Evropian të marrë hua deri në 20 miliardë euro në tregjet e kapitalit për Kievin vitin e ardhshëm, kanë thënë njerëzit e informuar mbi bisedimet.

Sakaq, kushtet janë ende në diskutim dhe shuma përfundimtare do të vendoset sipas nevojave të Ukrainës.

Marrëveshja është e ngjashme me strukturën e përdorur në vitin 2020 kur komisioni siguroi deri në 100 miliardë euro financim të lirë për vendet e BE-së për skemat afatshkurtra të mbështetjes së punës gjatë pandemisë.

Opsioni nuk do të kërkonte garanci nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, për sa kohë që pjesëmarrësit kryesorë përfshinin vendet me vlerësimet më të larta të kreditit.

Çka do t’i lejonte BE-së të anashkalonte veton e Hungarisë sepse nuk do të kërkonte mbështetje unanime.

​ Disa vende, duke përfshirë Gjermaninë dhe Holandën, do të kenë nevojë për miratim parlamentar për garancitë kombëtare, një proces që zyrtarët shpresojnë se mund të përfundojë në kohë për të ofruar ndihmë për Ukrainën deri në mars.

Një nga njerëzit e njohur me diskutimet ka zbuluar se asnjë “problem teknik” nuk bllokoi rrugët për të siguruar financimin e buxhetit për Kievin, por se politikisht “është më e ndërlikuar”.

Nëse liderët e BE-së bien dakord për këtë plan më 1 shkurt, FMN-së do t’i jepet siguri për të lëshuar këstin e ardhshëm të financimit për Ukrainën me vlerë rreth 900 milionë dollarë.

Kjo duhet të sigurojë fonde të mjaftueshme për Kievin për të shmangur nevojën për t’iu drejtuar financimit monetar, ku qeveria do të printonte para për të mbajtur deficitin e saj dhe për të rrezikuar rritjen e inflacionit, sipas tyre.

Por një dobësi e kësaj skeme është se ajo do të kufizohej në kredi dhe nuk do të përfshinte grante.

Shtetet anëtare ende mund të vendosin të japin grante dypalëshe.

Një tjetër opsion mbështetës që po shqyrtohet përfshin rikthimin e strukturës së financimit të përdorur këtë vit, sipas së cilës BE-ja i dha Ukrainës 18 miliardë euro kredi të lira, për disa muaj dhe deri në një vit.

Një opsion ky, që do të kishte nevojë për një shumicë të peshuar të vendeve për të rënë dakord.

Por zyrtarët theksojnë se opsioni i tyre i preferuar është miratimi i paketës së pandryshuar të ndihmës, të propozuar fillimisht në qershor, por të bllokuar nga Hungaria.

Kjo rimbushje e buxhetit të BE-së, e cila mbetet marrëveshja e preferuar e komisionit sepse mbulon një afat kohor katërvjeçar, përfshin gjithashtu 4 miliardë euro për prioritete të tjera, duke përfshirë investimet në mbrojtje dhe migrimin.

Pavarësisht nga modeli i zgjedhur, BE-ja i ka premtuar Ukrainës se do të sigurojë financim më së voni deri në mars.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore