Lajme

BE-ja miraton statusin e vendit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën


Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian ka miratuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se ministrat që janë përgjegjës për çështje evropiane, gjatë takimit, që ende po vazhdon, veçse kanë miratuar konkluzionet ku thuhet se Bosnjë e Hercegovinës do t’i jepet statusi i vendit kandidat me konfirmimin e Këshillit Evropian”.

Ky vendim i ministrave do të konfirmohet nga krerët e qeverive anëtare të BE-së gjatë samitit që do të mbahet të enjten, më 15 dhjetor.

“Në kontekstin aktual gjeopolitik, Këshilli i BE-së thekson urgjencën që shteti të ecë përpara në rrugën drejt BE-së, veçanërisht përmes përmbushjes të 14 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së, që janë identifikuar në opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Bosnjë Hercegovinës për anëtarësim në BE, të miratuar në Këshill më 2019”, u tha në dokumentin e konkluzioneve.

BE-ja pritet t’i japë statusin e vendit kandidat Bosnje-Hercegovinës

Në muajin tetor, Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit të kandidatit për BeH-së si pjesë e raportit të saj vjetor të zgjerimit, por bashkëngjiti një listë me tetë prioritete reformash që tha se do të ndihmonin në forcimin e demokracisë në vend.

Ato përfshijnë masa për të forcuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, menaxhimin e migracionit dhe të drejtat themelore.

Prioritetet e reformës lidhen kryesisht me 14 prioritete që Komisioni Evropian prezantoi në vitin 2019, në opinionin e tij mbi gatishmërinë e BeH për t’u bërë vend kandidat dhe që vendi duhet të përmbushë në funksion të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Bosnja dhe Hercegovina ka qenë një kandidate e mundshme për anëtarësim në BE që nga viti 2003 dhe ka aplikuar zyrtarisht për të në shkurt 2016.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore