Kosova

BE-ja e kategorizon “spekulim” optimizmin e Bislimit për heqjen e masave


Peter Stano dhe Besnik Bislimi

“Spekulim” e ka quajtur informacionin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, për heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja për Kosovën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media këtë të hënë.

“Kjo është një çështje institucionale mes përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është përfaqësuesi i lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare”, tha Stano.

“Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, shtoi.

Në anën tjetër, Bislimi potencoi tri ditë më parë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave ndëshkuese për Kosovën nga BE-ja, të vendosura në qershor të vitit të kaluar, për shkak të veprimeve të Qeverisë në Veri.

“Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, theksoi Bislimi në raportimin e tij në Komisionin për Integrime Evropiane.

Zyrtarë të BE-së vazhdimisht kanë nënvizuar se “sanksionet” ndaj Kosovës, që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të hiqen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë “hapa konkretë” në drejtim të de-eskalimit të situatës në Veri.

Ndërkaq në fillim të këtij muaji, kryeministri Albin Kurti, në një deklaratë për gazetarë theksoi se “nuk varet prej qeverisë” largimi i masave ndëshkuese.

Ai pati potencuar se tashmë janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.

Ndryshe, përveç masave, Kosovës i është anuluar pjesëmarrja edhe në stërvitjen ushtarake ‘Defender Europe 2023’ pas situatës së tensionuar në Veri, ku kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Deklarimi i Bislimit s’e Kosova s’dërgon “artikuj gazetash” në Kushtetuese mund “ta acarojë BE-në” – edhe pse ka konsensus për heqjen e masave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore