Kosova

Bislimi: Kam informacione se është rekomanduar heqja e masave ndaj Kosovës


Besnik Bislimi gjate raportimit ne Komisionin per Integrime Evropiane

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave ndëshkuese për Kosovën nga Bashkimi Evropian, të vendosura në qershor të vitit të kaluar, për shkak të veprimeve të qeverisë në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe.

Këto komente, Bislimi i ka bërë në raportimin e tij në Komisionin për Integrime Evropiane të enjten.

“Raporti i Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, tha Bislimi.

Ndryshe, Komisioni Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Veri të vendit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Nga krerët e institucioneve kanë thënë se i kanë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja, dhe kësisoj kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore