Lajme

BE-ja dënon retorikën secesioniste të Dodik-ut


Milorad Dodik

Deklaratat e njëpasnjëshme të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, se do të shpallë shkëputjen e entitetit nga Bosnja, janë dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe nga Bashkimi Evropian.

“BE-ja fuqishëm dënon retorikën secesioniste, dhe këtë ua kemi bërë të qartë të gjithë bashkëbiseduesve në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë një burim diplomatik i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Sipas këtij burimi, Dodik tashmë është mjaft i izoluar dhe vetëm kërkon vëmendje.

“Të gjitha llojet e deklaratave të kohëpaskohshme nga Dodik realisht nuk meritojnë as të komentohen. Ai në BE nuk ka miq, ndoshta një, por e di vet shumë mirë se deklaratat për pavarësinë e Republika Srpskas janë të pakuptimta, sepse një entitet i tillë do të ishte tërësisht i izoluar politikisht dhe ekonomikisht, dhe do të sillte vetëm më shumë vuajtje për qytetarët”, ka thënë ky burim diplomatik i BE-së.

Dodik, kohët e fundit ka ripërsëritur pikëpamjet e tij de-stabilizuese për shkëputjen e RS-së nga BeH, si dhe sulmet ndaj Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt dhe ambasadorit amerikan në Sarajevë, Michel Murphy.

“Nëse i paligjshmi Christian Schmidt përpiqet të imponojë ligjin e pronës, Republika Srpska do të shpallë menjëherë pavarësinë”, ka deklaruar Dodik.

Dodik, ka theksuar se Republika Srpska “nuk do të jetë e papërgatitur, por do të shpallë pavarësinë menjëherë dhe pa gjuajtur asnjë plumb”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore