Lajme

BE e shqetësuar se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të përhapen në rajon


Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë.

Ai përmes një konference për media ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ në tërë rajonin.

“Ende po i studiojmë përgjigjet nga palët, por tani prioriteti kryesor është që të ulen tensionet në terren. Ditëve të fundit kemi parë rrezikun e madh të një eskalimi, si dhe zhvillime që sjellin në rrezik të gjitha të arriturat deri më tash”.

“Kjo mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë një zgjidhje evropiane”, ka thënë Stano.

Ndërsa, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth fatit të propozimit franko-gjerman për marrëveshjen dhe zhvillimeve të fundit në Veri, ka thënë se “prioritet është ulja e tensioneve”.

“Sa i përket Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ky është një obligim i qartë për Kosovën që menjëherë ta themelojë, apo të nisë hapat e menjëhershëm për themelimin e këtij Asociacioni. Ky është një obligim ligjor i Kosovës dhe dështimi që kjo të bëhet, dëmton jo vetëm sundimin e ligjit në Kosovë, por edhe kredibilitetin e saj”.

Peter Stano.

“Tash, vërtet, u takon të dyja palëve që t’i zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit dhe nga dialogu”, ka thënë ai, duke nënvizuar se për këtë, Borrell gjatë fundjavës kishte diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.

Ndërsa ka theksuar se BE-ja dëshiron të i dërgoj Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhje.

“BE-ja dëshiron t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje evropiane, t’i ulin tensionet dhe që sa më shpejt të përfshihen në dialog, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga eskalimi momental. Kjo është rruga që çon deri te perspektiva evropiane për të dy partnerët”, ka deklaruar, përcjell Radio Evropa e Lirë.

Si rrodhën gjërat?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri kishte pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Çka ndodhi më pas?

Drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, u suspendua nga kjo pozitë me vendim të Inspektoratit të Policisë së Kosovës me pretekstin se i njëjti kishte refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortimin e shtetasve serb të cilët kanë refuzuar t’i konvertojnë targat e tyre ilegale në ato RKS.

Në një konferencë për media menjëherë pas këtij vendimi të Inspektoratit, kryetari i Listës Serbe dhe njëherit Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, kishte caktuar për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe, për të diskutuar mundësinë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës, duke filluar nga ai personalisht.

Përveç kësaj, Rakiç, kishte bërë të ditur se Lista Serbe të dielën do të protestojë në mënyrë paqësore në shenjë indinjate ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovë.

Ai nuk kishte garantuar që protesta demokratike mund të shndërrohet edhe në një revolt popullore.

Albanian Post të premten e 4 nëntorit kishte raportuar që rreth 400 policë serb të Kosovës në Veri, do të largohen nga detyra zyrtare pasi kështu u ka bërë thirrje lideri politik i serbëve të Kosovës, Goran Rakiç.

Nëse ky grup policësh serbe të Kosovës largohen, Albanian Post ka kuptuar brenda burimeve të policisë se ka shumë rrezik që ata nuk do të dorëzojnë armët zyrtare, meqë largimi nuk po ndodhë si bindje ndaj ligjit, por revoltim ndaj tij.

AP kishte mësuar gjithashtu se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë “në gjendje gatishmërie” në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore