Shqipëria

Bashkëpunimi i suksesshëm mes “Kastrati Group” dhe Ryanair, 70% e vendeve të rezervuara pa nisur fluturimet


Kompania irlandeze me kosto të ulët “Ryanair” nisi të mërkurën operimet në Shqipëri, ndërsa fluturimi i saj i parë nga Tirana do të niset më 31 tetor, tha Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE).

Ryanair pret të krijojë rreth 1 mijë vende pune në Shqipëri, vërejti ministri i MFE-së, Ervin Mete, cituar në një deklaratë për shtyp.

Në qershor, Ryanair tha se po i shton orarit të fluturimeve të saj dimërore nga Tirana në Londër, Manchester, Bruksel, Romë, Bologna, Venezia, Pisa, Milano, Catania, Bukuresht, Duseldorf, Edinburg, Krakov, Varshavë, Pragë, Paris dhe Stokholm.

Ryanair pret të kryejë 200 fluturime javore nga Tirana deri në fund të vitit, shtoi Ministria e Financave.

Ryanair lidh mbi 240 destinacione në mbi 40 vende, sipas faqes së saj të internetit.

CEO i kompanisë “Ryanair”, Michael O’leary deklaroi se aktualisht janë rezervuar rreth 70 për qind e vendeve të ofruara.

“Javën e ardhshme, të martën më 31 tetor, revolucioni i çmimeve të ulëta vjen në Shqipëri me Ryanair. Ne do të nisim 17 destinacione të reja për në/nga Tirana, ku tashmë më shumë se 70 për qind e vendeve të ofruara janë shitur për muajin e parë të operimeve. Oferta e lartë për sezonin dimëror të Ryanair në Tiranë me 17 destinacione, dhe mbi 200 frekuenca javore tregojnë kërkesën e jashtëzakonshme që ekziston për udhëtime me çmime vërtet të ulëta për ardhjen e turisteve në Shqipëri si dhe për qytetarët shqiptarë gjithashtu si linja ajrore numër 1 në Evropë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i “Kastrati Group” u shpreh se industria e aviacionit në Shqipëri është në krye të çdo liste klasifikimi ndërsa numri i turistëve ka shënuar shifra rekord.

“Duhet të përmend disa numra, për të vendosur gjërat në perspektivë. Që prej ditës së sotme, aeroporti ka arritur 5.8 milionë pasagjerë, dhe do të arrijmë 6 milionë deri në fund të muajit, që do të thotë 7 milionë në fund të vitit. Kjo ka të bëjë me 37 për qind rritje nga viti 2022, dhe është e jashtëzakonshme. 110 për qind më shumë se 2019, që e vendos aeroportin e Tiranës dhe industrinë e aviacionit në Shqipëri në krye të çdo liste klasifikimi, një rikuperim nga viti 2019, post-Covid”, shtoi ai.

Përfaqësuesi shtoi se objektivi i kompanisë është që këto zhvillime të bëhen në kohën e duhur dhe rritja të jetë e pashmangshme në të ardhmen.

Ky investim i “Kastrati Group” vjen në vijim të rritjes së kapaciteteve mikpritëse dhe kërkesave gjithmonë e në rritje të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.

Rritja e volumit të turizmit në Shqipëri ka sjellë një lulëzim të jashtëzakonshëm edhe për sektorin e aviacionit, ku vendi radhitet i pari në Evropë për shtimin e fluturimeve, edhe kur bëhet fjalë për krahasime me vitin para-pandemik 2019.

Në raportin e fundit statistikor të Eurocontrol, fluturimet në Shqipëri për javën e fundit të lënë pas janë rritur me 80%, duke qenë e padiskutueshme në vendin e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore