Shqipëria

Basha: Shtëpia e lirisë u kthye në shtëpinë e Metës


“’Shtëpia e Lirisë’ u krijua për t’ia dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës. Nga ‘Shtëpi e Lirisë’ u kthye në shtëpinë e Metës”.

Kjo ka qenë deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paraditen e 2 shkurtit në një takim me strukturat e Degës 14 të PD-së në Tiranë, sa i përket koalicionit që ish-lideri Sali Berisha bëri me Lëvizjen Socialiste për Integrim për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Basha iu drejtua demokratëve duke hedhur dyshime se e gjithë “zhurma” që krijoi Berisha këto katër muaj dhe “sulmi barbar i 8 janarit”, paska qenë që demokratët të ja dorëzojë LSI-së.

“Nuk ka Zot mes nesh. Askush nuk mund të gllabërojë pronën, nderin, mundësinë dhe dinjitetin. Çfarë është demokratë do të mbetet i tillë’, theksoi Basha në fjalën e tij duke iu referuar zhvillimeve të fundit brenda PD-së.

Më 31 janar ish-kryeministri Berisha konfirmoi koalicionin e Komisionit të Rithemelimit të PD-së me LSI-në nën logon “Shtëpia e Lirisë”.

Sipas Bashës asnjë demokrat nuk do të përlyhet nga hijet e korrupsionet dhe nga mbetjet e së shkuarës për të mbajtur peng Shqipërinë.

“Jemi kaq afër arritjes, i një prej ëndrrave me të cilat kemi lindur, një Shqipërie normale, të zhvilluar, të lirisë së fjalës, besimit, lëvizjes, tregut dhe mishërimit të tyre në kornizën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Ndër të tjera Basha përmendi dhe trinomin Berishë-Ramë-Metë duke i cilësuar si treshja e tranzicionit, theksoi se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk janë “tre kalorësit e apokalipsit që do ta mbajë Shqipërinë, por është PD-ja, qytetarët, demokratët dhe rinia”.

Ndër të tjera Basha përmendi dhe trinomin Berishë-Ramë-Metë duke i cilësuar si treshja e tranzicionit, theksoi se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk janë “tre kalorësit e apokalipsit që do ta mbajë Shqipërinë, por është PD-ja, qytetarët, demokratët dhe rinia”.

Ndërsa përmendi se dy janë gjërat që i mbajnë të bashkuar demokratët kundër regjimit të Ramës- opozitarizmi ballor dhe pa kompromis kundër Edi Ramës dhe vlerat euroatlantike.

Në përfundim Basha ritheksoi se, “PD-ja është e demokratëve, e sakrificës së tyre, e Shqipërisë dhe kombit shqiptar”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore. Gjashtë janë bashkitë ku do të garohet nga partitë – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Sipas Komisionierit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, asnjë nismë – Komisioni i Rithemelimit – nuk është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për lokalet e 6 marsit. Vetëm 11 subjekte politike, kanë dorëzuar shkresat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore