Shqipëria

Basha nuk komenton vendimin e GjK-së për Metën


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Pikërisht në oborrin e Kuvendit, që vendosi për shkarkimin e Metës, Basha argumentoi se njoftimi i GjK-së nuk është “vendim i cili komentohet”.

“Mund t’iu them se për ne theksi edhe sot edhe nesër është zbardhja e plotë e skandalit më të madh të këtyre 30 viteve”, vijoi kryedemokrati duke iu referuar “inceneratorëve”.

Me një njoftim të orëve të vona, Gjykata Kushtetuese zbuloi vendimin e saj për të mos shkarkuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Kushtetuesja në këtë mënyrë shfuqizoi votimin e Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit.

Në publikimin e GjK-së bëhet me dije se vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore