Shqipëria

Basha: Kushtetuesja lajm i mirë, por shumë i vonuar


“U deshën tre vjet që të plotësoheshin vakancat në Gjykatën Kushtetuese, që sigurisht është një lajm i mirë, por shumë i vonuar”.

Ky është reagimi i parë i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tre ditë pas formalizimit të Gjykatës Kushtetuese. Me emërimin e anëtarit të gjashtë nga ana e presidentit Ilir Meta, u zgjidh ngërçi tre vjeçar i Kushtetueses.

Basha e lëshoi këtë deklaratë në një takim me studentë të drejtësisë. Ai iu drejtua atyre duke thënë se “që reforma në drejtësi të ketë sukses, ka nevojë për pasionin, pastërtinë dhe idealizmin e rinisë”.

Funksionalizimi i Kushtetueses solli menjëherë reagime të shumta pozitive nga ndërkombëtarët. Ndërkohë, më të rezervuar u shfaqën krerët politikë shqiptarë.

E vetmja ndër aktorët e mëdhenj politikë në Shqipëri që u shpreh për emërimin e Përparim Kalos ishte kryetarja e Lëvizjes Sociale për Integrim, Monika Kryemadhi. Ajo e cilësoi “një lajm të mirë fillimin e punës të Gjykatës Kushtetuese”.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ana e kryeministrit Edi Rama mbi këtë çështje./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore