Lajme

Basha i VV-së kritikon KFOR-in: Si ka mundësi që s’i ofruat strehë gazetarit?


Deputeti i Levizjes Vetevendosje, Dimal Basha.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka kritikuar misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për mos reagimin e tyre kur po sulmoheshin gazetarët të premten në Veri të Kosovës.

Në komunikatën e KFOR-it – ku dënuan sulmet ndaj gazetarëve – ata thanë se ne jemi në reaguesit e tretë dhe se përgjegjëse për sigurinë është Policia e Kosovës.

Deputeti Basha është në rregull me këtë deklarim të tillë, por ajo çka e shqetëson atë është mos reagimi i tyre në momentin e sulmeve ndaj gazetarëve.

“Në rregull, mirëpo vërejtja jonë është; si ka mundësi KFOR-i nuk i ofron strehë një gazetari derisa sulmohet nga banditë, e për më tepër në këtë video shihet si KFOR-i e shtynë atë, duke i refuzuar strehim?”, shkroi ai në një postim në rrjetin social “Facebook”.

Ndërkaq, ai theksoi se “sikur të ishte një ushtar, mundemi me pa si gabim individual, por jo kur janë gjithë ata ushtarë, sepse kjo nuk besoj që është profesionale, as njerëzore, dhe nuk i bën nder as KFOR-it!”.

Ndryshe, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar për sulmet ndaj gazetarëve në Veri të Kosovës.

Përmes një komunikate për media thanë se “KFOR-i dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës gjatë ushtrimit të profesionit të tyre”.

“Liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore të cilat duhet të respektohen nga të gjithë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre themelore në mënyrë të sigurt”, thuhet në komunikatën e tyre.

Aty potencohet se pas incidenteve të 29% të majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën “në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë vendosur rreth ndërtesave të komunave Veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme”.

“KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, potencojnë ata.

Ndërkaq, nga misioni i NATO-s në Kosovë kanë shtuar se do të vazhdojnë që të kryejnë mandatin e tyre “në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, dhe mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja rrugë përpara”.

“Gjithashtu, komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së. dhe komunitetit diplomatik”, përfundon komunikata e tyre.

KFOR-i dënon sulmet ndaj gazetarëve: Ne jemi reaguesi i tretë, Policia mbetet përgjegjëse për sundim të ligjit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore