Shqipëria

Basha, bisedë me Johannes Hahn: Një ndër hapat e parë krijimi i Agjencisë Kombëtare Kundër Korrupsionit


Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë online me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhetin dhe Administratën, Johannes Hahn.

Basha e informoi Hahn-in se objektivi i programit qeveritar të PD-së, pas 25 prillit, do të jetë mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Kryediplomati i bëri me dije se PD-ja duhet të përmbushë kushtet për të zhbllokuar procesin e integrimit, për luftën kundër krimit e korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe rindërtimin, i cili mbështetet nga BE-ja.

Në qendër të diskutimit ishte dhe procesi i reformës në drejtësi. Basha i premtoi se nuk do të ketë asnjë pengesë nga parlamenti dhe ekzekutivi i ardhshëm në zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.

“Kontributi i vetëm që mund të japin partitë politike, që reforma në drejtësi të ketë suksesin e plotë, është të qëndrojnë larg, t’i mbajnë duart larg reformës në drejtësi”.

Hahn theksoi faktin se sundimi i ligjit është çështja më e rëndësishme për një vend që kërkon të bëhet anëtar i BE-së.

“Ishte rasti kur për hir të interesave kombëtare, ju si opozitë bëtë kompromis me qeverinë, me qëllim që të realizohej reforma dhe kjo ishte e jashtëzakonshme. Dhe e them sërish se kjo për Ballkanin Perëndimor është e pazakontë”.

Përveç reformës në drejtësi dhe rrugën drejt integrimit evropian, u diskutua dhe për çështjen e korrupsionit.

Basha tha se, menjëherë pasi qeveria e tij të fitojë, një ndër hapat e parë do të jetë krijimi i Agjencisë Kombëtare Kundër Korrupsionit.

“Agjencia do të ketë pavarësi nga ekzekutivi, roli i së cilës do të jetë trajtimi i problemeve të korrupsionit në të gjitha nivelet”.

Për sa i përket pjesës së rindërtimit, Basha theksoi nevojën për të ecur përpara sa më shpejt, duke rikuperuar dëmet që shkaktoi tërmeti në Shqipëri.

Gjithashtu u ndal dhe tek investimet e BE-së dhe punësimi i të rinjve.

“Me programin tonë, ne jemi duke u përqendruar te trajnimi profesional i dyfishtë, si dhe te praktikat. Këtu do të na duhet gjithashtu ndihmë nga BE-ja, Komisioni i BE-së”.

Hahn shprehu mbështetjen e plotë në lidhje me programin që Basha i prezantoi.

“Në fokusin tuaj në trajnimin e dyfishtë profesional, është diçka që mund ta mbështes plotësisht me gjithë përvojën që kam. Kjo është arsyeja pse në shumë vende shkalla e papunësisë së të rinjve është mjaft e ulët, sepse të rinjtë kanë mundësi të punojnë edhe gjatë arsimimit të tyre”, e mbylli Hahn.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore