Shqipëria

Basha: Besa me Berishën për demokracinë dhe Shqipërinë


“Të vetmen besë që kam lidhur me Sali Berishën, që ditën e parë që i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit kur kam qenë vetëm 17 vjeç, ishte për angazhimin dhe përkushtimin tim pa asnjë kusht për demokracinë, për Partinë Demokratike, për demokratët, për Shqipërinë”.

Kështu u shpreh kreu i demokratëve, Lulzim Basha, nëpërmjet një statusi në median sociale Twitter, pasditen e 14 nëntorit. Deklaratë të cilën e bëri dy ditë më parë në një intervistë.

Më tej Basha shkruan se, “kurrë nuk ka pasur marrëveshje e as besë mes meje dhe Sali Berishës, që të shkelmonim sakrificën e demokratëve, për të mbrojtur njëri-tjetrin nëse cenoheshin interesat personale”.

Ndërkohë Basha shpreh habinë që prej 9 shtatorit – kur ai përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së – “gjithkush është shtangur nga etiketimet që ai ka bërë ndaj meje”.

Kryedemokrati e mbyll duke ritheksuar se ai nuk do të hapë një “luftë” me Berishën, pasi nuk shkel mbi mbi vitet e bashkëpunimit me të.

E gjitha kjo, sipas tij, vjen për të mirën e shqiptarëve dhe Shqipërisë. “Besa ime është për ta dhe për çdo demokrat, siç ka qenë ditën e parë”, e përmbyll Basha postimin në Twitter.

Më herët për sa i përket “përçarjes” Berisha-Basha, ky i fundit ka deklaruar se, “unë kam pasur një perde përpara syve kur shihja atë dhe sot nuk e kam më”.

E gjitha kjo erdhi pas vendimit të SHBA-ve, e cila e shapi Berishën dhe familjen e tij si persona non-grata.

Kjo e fundit solli dhe përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, nga vetë Basha.

Pikërisht këtu nisi dhe përplasja mes tyre. Berisha ka thirrur mbledhjen e  Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor për “rrëzimin e vendimit të Bashës mbi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në PD”.

Data 11 dhjetor “do të vendosë” fatin e ndarjes Berisha-Basha dhe PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore