Shqipëria

Basha : 18 dhjetori për hallet e shqiptarëve, jo të Sali Berishës


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar të premten e 19 nëntorit se Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit do të zhvillohet për të zgjidhur hallet e shqiptarëve dhe jo batutat e hallet e Sali Berishës apo Edi Ramës.

Në intervistën e dhënë për “Euronews Albania”, kryedemokrati theksoi se 18 dhjetori do të shfaqet si e vetmja shpresë, si “një bashkim i jashtëzakonshëm vullnetesh rreth të cilëve shqiptarët kanë drejtimin, udhëheqjen për të dalë nga kjo krizë e tmerrshme”.

Ndër të tjera, Basha ravijëzoi se me Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike synohet “një qeveri që nuk buron nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe oligarkinë”.

Basha foli dhe për marrëdhënien e PD-së me SHBA-të.

“SHBA-të e dinë që te PD-ja mund të mbështeten jo vetëm për kontributin e dyanshëm po dhe për shkak të vizionit që ne ndajmë për një Ballkan të drejtuar drejt perëndimit jo vetëm me fjalë por me vepra”.

Katër ditë më parë Basha tha se nuk do të ketë Kuvend të Partisë Demokratike më datë 11 dhjetor, por më 18 dhjetor 2021, kur do të thirret ai legjitimi.

Pas deklaratës së ish-liderit historik, Sali Berisha, se Kryesia e Partisë Demokratike është ilegjitime, kryedemokrati Lulzim Basha e ka konsideruar thirrjen e Kuvendit nga Berisha si “kundërvënie e një pjese të vogël të PD-së kundër Shteteve të Bashkuara”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore