Përballje

Barcelona shpallet kampione e Spanjës


Barcelona tani edhe matematikisht është kampione e këtij edicioni në ligën e Spanjës.

Katalanasit e siguruan titullin e 27-të në histori, duke e mposhtur Espanyol-in në derbin lokal me rezultat 2:4.

Goli i parë erdhi në minutën e 11-të, kur Robert Lewandowski shënoi pas një asistimi të Alejandro Balde-s.

Ky i fundit shënoi edhe nëntë minuta më vonë, duke u asistuar nga Pedri.

Lewandowski e gjeti edhe golin e dytë të tij në ndeshje pak minuta para se të përfundonte pjesa e parë, për rezultatin 0:3.

Edhe pjesa e dytë u dominua nga Barcelona, derisa e shënuan edhe golin e katërt, ndërsa pranuan dy të tjerë.

Në minutën e 53-të, Frenkie de Jong asistoi te Jules Kounde, i cili realizoi me kokë për rezultatin 0:4.

Në minutën e 74-të, Javi Puado shënoi për 1:4 për vendasit, derisa krejt në fund të ndeshjes ata shënuan edhe një herë me anë të Joselu-s për rezultatin përfundimtar 2:4.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore