Sport

Barcelona, nëse nuk arrihet Haaland-i, synohet sulmuesi nga Serie A


Skuadra e Barcelona-s po kërkon të forcohet me një qendërsulmues që premton gola. Synimi kryesor për merkaton verore është Erling Haaland-i i Borussia Dortmund-it.

Sipas raportimeve që vijnë nga katalansja “Mundo Deportivo”, Barcelona ka gati edhe alternativën nëse nuk arrin të marrë shërbimet e norvegjezit.

21-vjeçari i Fiorentina-s, Dusan Vlahovic-i, shikohet si plani B për skuadrën blaugrana. Serbi është më i përballueshëm ekonomikisht.

Faktikisht, për të dy sulmuesit ka garë mes skuadrave më të mëdha Evropiane. Për Haaland-in gara është mes skuadrave si Real Madrid-i, Barcelona, Manchester City, Manchester United dhe Chelsea.

Për shërbimet e Vlahovic-it gara është mes Juventus-it, Inter-it, Atletico Madrid-it, Barcelona-s dhe Arsenal-it.

Haaland-i thuhet se në verë do të ketë klauzolë lirimi prej 75 milionë eurosh. Por, agjenti i tij Mino Raiola kërkon komisione të larta dhe një super pagë të majme për norvegjezin.

Në kushtet aktuale financiare dhe me problemet për tavanin e pagave, duket paksa e pamundur që Haaland-i të shkojë në “Camp Nou”.

Operacioni për Vlahovic-in është shumë më pak i kushtueshëm. Fiorentina kërkon midis 60-80 milionë eurove. Ndërsa, komisionet dhe paga e lojtarit nuk janë shumë të kushtueshme dhe përballohen nga klubi.

Këtë sezon, Haaland-i në Bundesliga numëron 11 paraqitje, 13 gola dhe pesë asiste. Vlahovic-i në Serie A numëron 20 paraqitje, 16 gola dhe tre asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore