Shqipëria

Banorët e Porto Romanos sërish në protestë: Largoni depozitat e gazit


Banorët e Porto Romanos në Shqipëri janë ngritur në protestë kundër vendosjes së depozitave të gazit, të cilat ndodhen shumë pranë banesave të tyre.

Qytetarët, përfshirë dhe fëmijë, u kanë bërë thirrje instancave shtetërore të marrin masa për sigurinë e jetës së tyre, që rrezikohet për shkak të ndonjë shpërthimi të mundshëm.

Ata i tremben përsëritjes së një tjetër Gërdeci dhe u bënë apel institucioneve për largimin e depozitave, të vendosura në qendër të një zone të banuar.

Protesta e banorëve u zhvillua në mënyrë paqësore dhe u monitorua nga afër nga efektivët e policisë, por u paralajmëruan përshkallëzime të protestave nëse nuk merren masat e duhura për largimin e depozitave të gazit.

Dy javë më parë, një zjarr i madh përfshiu depot e gazit në një pikë karburanti në Porto Romano, ku falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, u arrit të vihen flakët nën kontroll fillimisht e, më pas, zjarri u shua tërësisht.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 08:30.

Si pasojë e flakëve të përhapura, kishte vetëm dëme të vogla materiale. Teksa, askush nuk është cenuar e nuk janë raportuar shpërthime.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore