Lajme

Bankat po ndihmojnë për të financuar një të ardhme më të gjelbër për Kinën


Ndryshimet klimatike janë një çështje gjithnjë e më e ngutshme globalisht.

Më së fundi u theksuan në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike të vitit 2022 (COP27) të mbajtur në Egjipt në nëntor.

Dhe Kina, krahas qeverive të tjera, ka zbatuar në mënyrë aktive masa për të adresuar problemin.

Në vitin 2021, vendi ka zbuluar planin e 14-të pesë-vjeçar që përfshin qëllimet e përdorimit të energjisë dhe emetimeve, për të ulur ngrohjen globale, me reduktime të energjisë dhe intensitetit të emetimeve.

Referuar Administratës Kombëtare të atjeshme të Energjisë, deri në vitin 2021 gati 45 për qind e kapacitetit të instaluar të prodhimit të energjisë në Kinë mbështetej në burime të rinovueshme.

Teksa kontributi i burimeve të rinovueshme në energjinë e prodhuar atje arriti në vetëm 30 për qind në të njëjtin vit, rreth tre të katërtat e kapacitetit të instaluar vareshin nga gjenerimi i burimeve të rinovueshme.

Sakaq, për të arritur objektivat deri në vitin 2030 dhe 2060, angazhimi nga institucionet financiare do të jetë thelbësor.

Në mesin e vitit 2022, Komisioni Rregullator i Bankave dhe Sigurimeve të Kinës (CBIRC), rregullatori financiar i vendit, publikoi “Udhëzimet e Financave të Gjelbra për Industrinë Bankare dhe të Sigurimeve” të përditësuar, duke pranuar rëndësinë e sektorit.

Nga ana e saj, Banka Industriale ka qenë një pioniere e financave të gjelbra në Kinë që kur u bë banka e parë e vendit që miratoi Parimet e Ekuatorit në vitin 2008, shumë përpara çdo direktive mbarëkombëtare.

Parimet e Ekuatorit formojnë një kuadër menaxhimi për institucionet financiare për të përcaktuar dhe menaxhuar rreziqet mjedisore dhe sociale në financimin e projekteve.

Në vitin 2015, banka e bëri financimin e gjelbër një nga bizneset e saj kryesore, duke e përcaktuar atë si biznesin kryesor në vitin 2021.

Po në të njëjtin vit, ajo formuloi një plan zhvillimi pesë-vjeçar për biznesin e saj të financave të gjelbra.

Banka, deri në fund të vitit 2025, synon të japë 280 miliardë dollarë kredi për financimin e gjelbër, me të paktën 55 mijë klientë korporatash të financimit të gjelbër

Në janar 2022, Banka Industriale propozoi ndërtimin e një ekipi talentesh profesionale të pajtueshëm me objektiva të tillë ambicioz, duke synuar të punësojë më shumë se dhjetë mijë ekspertë të financave të gjelbra në tre vjet.

Kështu, angazhimi i Bankës Industriale për financimin e gjelbër është i qartë nga shpërndarja e kapitalit të saj.

Që nga emetimi i parë në vitin 2016, banka ka kultivuar bilancin më të madh të bonove financiare të gjelbra të çdo banke tregtare në mbarë botën.

Ajo ka financuar projekte në fusha që variojnë nga ruajtja e energjisë dhe reduktimi i emetimeve deri te ruajtja e biodiversitetit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore