Financa

Bankat e Wall Street-it pritet të raportojnë fitime rekord për vitin 2021


Bankat më të mëdha të Wall Street-it pritet të raportojnë fitime rekord këtë muaj për vitin 2021.

Madje, analistët paralajmërojnë se mund të duhen vite për të përsëritur fitime të tilla.

Citigroup dhe JPMorgan Chase janë bankat e para të mëdha që do të raportojnë më 14 janar.

Agjencia e lajmeve, “Financial Times”, zbulon se ato do të pasohen nga Goldman Sachs më 18 janar dhe më pas Morgan Stanley dhe Bank of America më 19 janar.

Sipas analistëve, pritet që bankat të raportojnë fitimet e tyre më të larta ndonjëherë për vitin e plotë në bazë të vlerësimeve dhe të dhënave historike të fitimeve.

“Mund të duhet të shkosh deri në vitin 2024 përpara se të ardhurat të jenë më të larta se sa ishin në vitin 2021”, ka thënë Matt O’Connor, kreu i kërkimit të bankave me kapital të madh në Deutsche Bank.

Megjithatë, perspektiva e rritjes së normave të interesit nga Rezerva Federale në vitin 2022 po ushqen optimizmin se bankat mund të kenë një vit tjetër të fortë.

“Presim që aksionet e bankave të vazhdojnë të tejkalojnë tregun në vitin 2022”, ka thënë Jason Goldberg, një analist në Barclays.

Lidhur me fitimet e vitit 2021, ato kanë ardhur nga lëshimet e rezervave që bankat kishin lënë mënjanë për të mbuluar humbjet e mundshme nga kreditë për të cilat kishin frikë se mund të përkeqësoheshin për shkak të pandemisë.

Deri më tani, humbjet kanë rezultuar shumë më pak të përhapura se nga sa pritej.

Gjithashtu bankat kanë përfituar nga tarifat bankare të investimeve të suksesshme, me bashkimet dhe blerjet globale në vitin 2021, duke arritur nivelet më të larta që nga rekordet.

Ndërkaq, bankat kanë përdorur fitimet për të investuar në teknologji, për të paguar bonuse dhe për të blerë aksionet e tyre.

Për Richard Ramsden, analist bankar në Goldman Sachs, pas vitit 2021 investitorët po pyesin nëse ky ishte viti që përfaqësonte “fitimet kulmore” për bankat e mëdha.

“Çka investitorët po përpiqen të kuptojnë është, a e ka mbiçmuar tregu apo nënçmuar opsionin e normës që është përfshirë në stoqet e bankave?”, ka thënë Ramsden.

Nga ana tjetër, investitorët po vënë bast se rritja e normave të interesit do të ringjallë të ardhurat e bankave nga huatë.

Kërkesa për kredi, e cila ishte e ngadaltë në vitin 2021 mes sasive rekord të stimulit të qeverisë, ka treguar gjithashtu shenja përmirësimi.

Analistët parashikojnë se një përqindje më e madhe e të ardhurave nga huatë do të siguronte një vlerësim më të mirë për stoqet e bankave nga tregu, edhe nëse fitimet totale janë më të ulëta.

“Financial Times” dallon se më shumë kërkesë për kredi në një mjedis me norma më të larta do t’u mundësonte bankave të përfitonin më shumë nga baza e madhe e depozitave që u rrit gjatë pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore