Sport

Balotelli: Ëndrra ime ishte të luaja për Napolin


Ish-sulmuesi i Italisë, Mario Balotelli, ka thënë se ëndrra e tij ishte që të luante për klubin e Napolit.

Ai foli në një prononcim për media pas ndeshjes miqësore që Napoli e luajti me ekipin e tij, Adana Demirspor, duke thënë se ëndërronte fanellën e Napolit, por kishte dyshime që presidenti i tyre nuk e donte Mario-n.

“Është ëndrra ime që një ditë të luaj për Napolin. E respektoj shumë Aurelio De Laurentis-in, por mendoj që ai nuk ka dashur kurrë që unë të shkoja te Napoli dhe kjo është arsyeja e vetme që unë nuk e kam veshur atë fanellë”, tha Balotelli.

Kujtojmë që “Supermario” kishte veshur më herët fanellat e Inter-it dhe Milan-it në Itali, derisa tani është pjesë e skuadrës turke, Adana Demirspor.

Ai foli edhe për emocionet që ia jep kombëtarja e Italisë, me të cilët Balotelli numëron 36 paraqitje dhe 14 gola.

“Ju i dini opinionet e mia për kombëtaren. Ajo është gjëja më e bukur që ekziston. Më pas çdo kush bën zgjedhjet dhe unë duhet t’i respektoj”, tha mes tjerash Balotelli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore