Sport

Balotelli ëndërron rikthimin tek Italia


Futbollisti italian, Mario Balotelli, ka thënë se ëndërron një rikthim te Kombëtarja e Italisë.

Ai tha se do të dëshironte shumë të ishte prezent në ndeshjet e fazës play-off, aty ku Italia do të kërkojë kualifikimin për Kupën e Botës, “Katar 2022”, pasi nuk arriti të siguronte direkt pjesëmarrjen atje.

“Ndihem gati për t’u rikthyer në kombëtare. Është një ëndërr për mua. Do të nisesha në këmbë nga Turqia, nëse do të ftohesha për ndeshjet e marsit”, ka thënë Balotelli për OCW Sports.

“Kam marrëdhënie të mira me Mancini-n dhe i kam pasur gjithmonë. Ai vetëm duhet të më thotë se çfarë kërkon nga unë dhe unë gjithmonë do ta bëj”, shtoi sulmuesi italian.

Mirëpo, Balotelli më tej tha se prapë mbetet vendimi i trajnerit Mancini se a do të ftohet ai në kombëtare apo jo.

“Atë që ai dëshiron nga unë e ka thënë tashmë disa herë”, vazhdoi Balotelli. “Nuk kam pse t’i premtoj asgjë vetes. Ai e di nëse jam mirë, pse të mos më telefonojë”.

“Tani, kam kohë deri në mars për të arritur formën time më të mirë. Nuk jam këtu për t’u ankuar se nuk më kanë thirrur. Nuk jam larg nga forma ime më e mirë, më duhet vetëm të punoj”, shtoi më tej Balotelli.

31-vjeçari shpjegoi më tutje se do të mund të përshtatej me futbollistët aktualë që ka Kombëtarja e Italisë.

“Për karakteristikat e mia, mund të luaja me të gjithë. Edhe me Immobile-n. A do të bëja goditje dënimi? Nuk do të përgjigjem sepse kjo do të krijonte polemika, por të gjithë e dinë që mund të godas nga pika. Çdo futbollist ëndërron të jetë sulmuesi i kombëtares së tij”, shtoi mes të tjerash Mario Balotelli.

Kujtojmë që Mario Balotelli u transferua gjatë verës së kaluar, te skuadra turke, Adana Demirspor.

Ai, deri më tani, ka zhvilluar 13 ndeshje në të gjitha garat me ekipin turk, prej të cilave ka shënuar pesë gola.

Ish-sulmuesi i Milan-it, ndeshjen e fundit me kombëtaren italiane e ka luajtur në shtator të vitit 2018, në barazimin 1:1 përballë Polonisë.

Derisa, ai numëron në total 36 ndeshje zyrtare me kombëtaren “Azzurre”, prej të cilave ka shënuar 14 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore