Lajme

Balotazhi në Prishtinë: PDK e AAK deklarohen për Albanian Post


Prishtina

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ende nuk kanë vendosur se kënd do ta mbështesin në garën e balotazhit për Prishtinën, ku Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje arriti të fitojë në raundin e parë të zgjedhjeve, pasi mori 42,33% i ndjekur nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me 29,35% të votave.

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, që kishte marrë 4,50% të votave duke i renditur i katërti, ka thënë për Albanian Post se ende nuk ka vendosur se a do ta mbështes Ramën apo Vitinë për balotazh.

“Për momentin s’kemi diskutuar, jemi në pritje të certifikimit të rezultateve, pastaj shohim se si do ia bëjmë”, tha Haradinaj.

Por, Haradinaj edhe kur do vendos, thotë se do të kërkojë që programi i tij, të zbatohet edhe nga kryetari i ri i kryeqytetit.

“Besoj që kryetari i ardhshëm do e trajton programin ton, ai është në të mirën e përgjithshme”.

Daut Haradinaj

Ndërkaq anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Betim Gjoshi, ka potencuar se partia e tij, ka vendosur që mos të mbështes asnjë kandidat për kryetar të komunës që ka probleme me ligjin.

“Ne ua kemi lënë degëve që të vendosin se cilët kandidatë do t’i mbështesin në balotazh”, ka theksuar Gjoshi.

“Të vetmen kërkesë e kemi pas që mos të mbështesin kandidat që kanë telashe me ligjin”.

Megjithatë, Gjoshi nuk ka treguar nëse kanë biseduar me ndonjërin nga kandidatët për kryetarë të Prishtinës deri më tani.

Më 18 tetor, Arben Vitia, i pari më i votuari në zgjedhjet për Prishtinën, ndonëse jo mjaftueshëm për të fituar në raundin e parë, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Faceobok, u është drejtuar votuesve të tij se “do të takohemi pa humbur kohë”.

“Me përulësi dua t’i falënderoj në rend të parë të gjithë qytetarët për kulturën e lartë në këtë proces zgjedhor demokratik dhe mbështetjen e tyre të fuqishme”, shkroi Vitia.

“Ne jemi të gatshëm dhe do të jemi në ballë të sfidës së re të vendosur nga qytetarët”, tha ai.

“Do të jemi në çdo lagje e fshat të qytetit për të paraqitur planet tona për kryeqytetin. Do të paraqesim ëndrrën tonë për Prishtinën”.

Arben Vitia

Ndërkaq kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama më 19 tetor, përmes një statusi në Facebook, pati thënë se “jam i bindur se gjithë ky besim dhe dashuri që më keni dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 nëntor”.

“Prishtinës i duhet me marrë frymë e me u shëru prej kaosit urban. E unë, do t’i përvishem punës me e bë pikërisht këtë”, kishte shkruar Rama.

“Bashkë me ekipin tim, këtë garë po e vazhdojmë me guxim, sepse vetë historia e ka dëshmuar se ata që guxojnë, dhe vihen në shërbim të së mirës së përbashkët, mund ta bëjnë ndryshimin e madh. Kjo nuk është vetëm ëndërr, por plan konkret e praktik lehtësisht i jetërsueshëm me përkrahjen tuaj”.

Ndryshe numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta do të fillojë me datë 26 tetor të këtij viti, dhe vetëm një ditë më vonë pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që u mbajtën më datën 17 tetor.

Lajmin e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili ka thënë se gjatë ditës së sotme do të numërohen fletëvotimet të personave me nevoja të veçanta dhe ati me kusht.

Valmir Elezi

Në zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë ditës së diel të 17 tetorit, nga numri i përgjithshëm i 38 komunave të Kosovës, 17 komuna kanë shënuar fitore, ndërsa 21 komuna shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Gara për balotazh do të mbahet në mesin e muajit nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore