Shqipëria

Balluku: Rindërtohet ura e Tapizës


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të enjten, më 11 shkurt, deklaroi se kanë nisur punimet për rindërtimin e urës së re të Tapizës. Gjatë inspektimit të rrugës ishte dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ergys Verdho.

“Kantieri për ndërtimin e urës së re të Tapizës, do të garantojë një kalim të sigurt për të gjithë përdoruesit e këtij asksi rrugor”, deklaroi Balluku.

Verdho tha se puna ka nisur me ndërtimin e një bypass-i, i cili do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve në kohën që do të realizohen punimet.

Sipas tij punimet do të nisin së shpejti dhe në fillim do të shembet ura e vjetër.

Ai bëri me dije se në këtë urë kalojnë më shumë se 50 mijë automjete në ditë.

“Angazhimi ynë është që për tre muaj t’a mbarojmë urën e Tapizës”.

Ura e Tapizës është ndërtuar në vitin 1973. Kjo urë, sipas njoftimeve ka shumë vite e amortizuar. Balluku dhe Verdho deklaruan se tërmeti i 26 nëntorit 2019, e bëri edhe më emergjente ndërhyrjen në këtë objekt.

Përsa i pëket situatës në vend, ku ditët e fundit janë regjistruar reshje të dendura, Balluku bëri të ditur se të gjitha grupet e punës ndodhen në terren për të garantuar që të gjitha akset rrugore të jenë të kalueshme.

“U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve, si gjatë këtyre dy ditëve, ashtu dhe gjatë ditës së diel, ku temperaturat do të ulen shumë, të tregohen të kujdesshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore