Shqipëria

Balluku për hyrjet në Rinas: Këto shifra i përkasin provizioneve të 2027-ës


Zëvendës kryeministrja e Shqipërisë dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku i bëri bujë shifrave të hyrjeve në nëntë muajt e parë të vitit nga Aeroporti i Rinasit.

“Duhet thënë që vetëm në nëntë muajt e parë të vitit nga Aeroporti i Rinasit kemi pasur një hyrje prej 5.4 milionë pasagjerësh. Të gjitha këto shifra që ne referojmë herë pas here duhet të keni parasysh që minimalisht i përkasin provizioneve të vitit 2027. Ne sot po punojmë dhe po elaborojmë shifra të cilat ishim përgatitur për t’i pasur mbas katër vitesh”, theksoi fillimisht numri dy i Qeverisë gjatë bilancit të sezonit turistik veror.

Sipas saj, kjo shifër tregon se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një vepër e domosdoshme.

“Ky numër 5.4 milionë pasagjerë është një tregues i qartë që Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës nuk është thjesht një vepër e rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, por është një vepër e domosdoshme”, ravijëzoi Balluku.

Shqipëria ishte këtë vit destinacioni i preferuar për qindra mijëra turistë nga mbarë bota.

Vendi ynë ka tërhequr vëmendjen dhe kureshtjen e shumë shtetasve të huaj, që kanë ardhur dhe e kanë eksploruar.

Ky fluks pasagjerësh ka tejkaluar edhe rekordin e vendosur përgjatë vitit 2022.

Numri i pasagjerëve përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” shkoi në 5.2 milionë deri më 25 shtator, duke tejkaluar rekordin e vendosur përgjatë gjithë vitit 2022 që ishte 5 milionë pasagjerë.

Të dhënat paraprake tregojnë se Shqipëria u vizitua nga rreth 7.2 milionë të huaj përgjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, duke shënuar kështu një rritje prej 27 për qind.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, plazhe këto që frekuentohen nga maji deri në tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore