Shqipëria

“Pjesa lindore e Unazës së Madhe përfundon brenda gushtit”


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ergys Verdho, të premten e 30 prillit kanë inspektuar punimet në pjesën lindore të Unazës së Madhe të Tiranës.

“Kjo pjesë ka pasur një kompleksitet të lartë, pasi ka pasur shtresa nënujore. Prezenca e ujit ka paraqitur një problem të madh, por është menaxhuar si duhet”, u shpreh Balluku.

Balluku bëri me dije se afati i përfundimit të punimeve do të jetë fundi i gushtit të vitit 2021.

“Puna po ecën dhe janë zgjidhur të gjitha vështirësitë që janë hasur”.

Drejtori i ARRSH-së vendosi theksin se po punohet çdo ditë intensivisht, për të përfunduar sa më parë kjo pikë kyçe për kalimin e automjeteve.

“Po punohet në lotin 2, për vendosjen e trarëve në viaduktin me gjatësi 210 metra, betonimin e mureve të tunelit, si dhe për ndërtimin e pilotave për mbrojtjen e skarpatës”.

Ministrja shtoi se, me përfundimin e këtij loti, do të bëhet e mundur lidhja me dy lotet e tjera, të cilat tashmë janë vënë në funksion të drejtuesve të automjeteve.

Më herët Balluku ishte shprehur se nga ndërtimi i Unazës së Madhe nuk do të përfitojë vetëm qyteti i Tiranës.

Ky projekt bën të mundur rikualifikimin urban në zonat ku ajo kalon, çka do të rrisë vlerën e banesave dhe pronave të tjera në të dy krahët e rrugës.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama, në fillimet e ndërtimit e ka cilësuar si një vepër të rëndësishme.

Pasi ky projekt do të jetë në dispozicion të kryeqytetasve e të udhëtarëve të shumtë, që përdorin çdo ditë infrastrukturën rrugore të Tiranës.

Hyrja e re e Tiranës, që është pjesë e projektit të Unazës së Madhe, ka qenë një ndër zotimet kryesore të vitit të shkuar nga kryeministri Rama dhe ministrja Balluku.

Ky projekt parashikon pesë tunele dhe është hera e parë që kryeqyteti do të ketë një nyje. Aksi kryesor do të ndahet me tunelet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore