Shqipëria

Balla: Nuk ka asnjë tërheqje nga ana jonë për amnistinë fiskale


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, konfirmoi se nuk ka asnjë tërheqje të autoriteteve shqiptare nga amnistia fiskale.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për mediat në Kuvend.

“Nga ana jonë nuk ka asnjë tërheqje, në nevojën për t’i garantuar Shqipërisë dhe shqiptarëve që pas 33 vitesh tranzicion dhe teksa bëhemi gati për të hedhur një hap të ri i cili lidhet me rrugëtimin tonë dhe shpresat e të gjithë shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, na duhet të ndahemi me tranzicionin”, u shpreh fillimisht përfaqësuesi socialist.

Sipas tij, të gjitha vendet që kanë kaluar një fazë të tillë ose të gjitha vendet anëtare të BE-së që nga themelimi si Italia dhe Greqinë kanë ndërmarrë amnisti fiskale.

“Përpara anëtarësimit në BE, historia ka treguar që është një domosdoshmëri. Nuk ka asnjë tërheqje nga ana jonë në nevojën për të shkuar përpara me amnistinë fiskale”, konfirmoi Balla.

Në përmbyllje ai sqaroi se autoritetet kanë identifikuar me delegacionet evropiane çështjet përfundimtare se si do të donte Komisioni Evropian ta kishte këtë amnisti fiskale Shqipëria.

Qeveria shqiptare do ta miratojë amnistinë fiskale, por drafti i paraqitur më herët është rishikuar.

Kështu deklaronte gjatë fillimit të vitit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Zyrtarja u shpreh se rishikimi ka ardhur duke pasur në vëmendje ankesat e ndërkombëtarëve dhe të grupeve të interesit.

“Amnistia fiskale do të realizohet. Qeveria është e vendosur që ta çojë deri në fund këtë nismë që synon formalizimin e parave informale” .

Draft-ligji përcakton të gjitha rregullat, garancitë dhe veprimet e subjekteve që do të përfitojnë nga procesi i deklarimit vullnetar të pasurive dhe njëkohësisht saktëson se cilat do të jenë institucionet publike që do të administrojnë këtë proces.

Fillimisht ai u hartua në vitin 2020, por nuk u arrit konsensusi me opozitën e cila ishte jashtë parlamentit.

Nëpërmjet këtij drafti Qeveria iu kufizon deklaruesve vullnetar mundësinë për të transferuar jashtë vendit paratë e deklaruara për një periudhë 5-vjeçare nga momenti i deklarimit.

Në rastet kur subjektet deklaruese duan t’i transferojnë shumat e deklaruara jashtë vendit para këtij afati, ndaj tyre parashikohen penalitete.

Fillimisht ato do të ‘sanksionohen’ në masën 30% të shumës së transferuar.

Për deklarimet vullnetare të shumave në para, në pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, që bëhen në katër muajt e parë nga hyrja në fuq e ligjit norma e tatimit është shtatë për qind.

Ndërsa pas kësaj periudhe: 10 për qind e shumës totale të deklaruar.

Po ashtu nëse subjektet vendosin t’i investojnë pasuritë e deklaruara në tituj shtetëror, bono thesari apo obligacioni jo më të vogla se 2-vjeçare, Banka e Shqipërisë do të mbajë një tatim prej pesë për qind të shumë totale për investimet e bëra në 4-mujorin e parë – prej hyrjes në fuqi të ligjit – dhe shtatë për qind pas kësaj periudhe kohore.

Për zbatimin e kësaj amnistie fiskale dhe penale, pra që iu fal deklaruesve vullnetar gjobat, penalitetet apo kamatëvonesat për pasuritë e tyren si dhe i përjashton nga ndjekja penale, do të ngrihet një strukturë e posaçme në varësi të Drejtorisë së Tatimeve.

Amnistia parashikohet të zbatohet për një periudhë 9-mujore nga hyrja në fuqi e ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore