Shqipëria

Balla në Emirate: Propozohet task forcë e përbashkët për luftën ndaj krimit të organizuar


Ministri i Brendshëm Taulant Balla është takuar me homologun e tij Said Bin Zayed, në Abu Dhabi.

Fokusi i diskutimit mes tyre mësohet se ka qenë çështja e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë.

Gjatë takimit ministrat u dakordësuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, nëpërmjet ngritjes së Task Forcës së përbashkët që do të adresojë të gjitha çështjet e përbashkëta, ku përfshihet lufta kundër krimit, edhe asistenca që mund të përfitojë policia shqiptare nga qeveria e EBA.

“Me Ministrin Said Bin Zayed ramë dakord, me propozimin e tij, të ngremë së bashku një Task Force mes dy ministrive, pjesë e së cilës të jenë dhe dy policitë tona, për të adresuar të gjitha çështjet e përbashkëta ku përfshihen edhe çështjet që lidhen me luftën kundër krimit, edhe asistenca që mund të përfitojë policia shqiptare nga qeveria e EBA”.

Po ashtu u diskutua për ngritjen në një nivel tjetër të bashkëpunimit edhe sa i përket ekstradimeve dhe emergjencave civile.

“Marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë në nivelin e tyre më të mirë, kjo falë edhe një raporti të drejtpërdrejt bashkëpunimi mes Presidentit, Lartësisë së Tij Sheikut Mohamed Bin Zayed dhe Kryeministrit Rama, por edhe në nivel bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive”, ka thënë Balla.

Ai ka thënë se me ministrin Said Bin Zayed pati një diskutim të gjatë e të frytshëm mbi disa çështje që kanë rëndësi sa i përket bashkëpunimit në luftën kundër krimit dhe në mënyrë të veçantë kundër krimit të organizuar, bashkëpunimit sa i përket asistencës dhe marrjes së eksperiencës që tashmë EBA kanë sa i përket teknologjisë që ata përdorin në menaxhimin e trafikut, sa i përket identifikimit të personave të kërkuar.

“Dhe po ashtu jemi ndalur edhe në një diskutim të gjerë lidhur me përballimin e situatave të vështira që lidhen me emergjencat civile. Kemi kërkuar marrjen e asistencës nga ana e qeverisë dhe e Agjencisë së Mbrojtjes Civile në mënyrë që të përballojmë disa prej sfidave që kemi përpara”, ka shtuar Balla.

Ai ka treguar se mes tyre është diskutuar gjithashtu për çështje që lidhen me bashkëpunimin mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit.

“Theksoj që bashkëpunimi ka qenë i mirë. Kemi pasur disa raste pozitive të trajtimit në mënyrë të veçantë e po ashtu do të vazhdojmë diskutimin për këtë çështje edhe me Ministrin e Drejtësisë për një çështje që ka marrë shumë vëmendjen në Shqipëri, që lidhet me ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare drejt Shqipërisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore