Shqipëria

Balla: Komisioni i Venecias mblidhet nesër, pritet opinioni për zgjatjen e mandateve të vetting-ut


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se Komisioni i Venecias do të mblidhet nesër, më 10 dhjetor, ku do të japë opinionin zyrtar për zgjatjen e mandateve të organeve të vetting-ut.

Në fjalën e tij, Balla ravijëzoi se kjo është një procedurë që bëhet bashkë me opozitën, por shtoi se në raportet e tyre kanë ndërthurur edhe interpretimin e Komisionit të Venecias.

“Kështu që, në këtë mënyrë, Kuvendi është i detyruar të presë opinionin zyrtar të Komisionit të Venecias. Procedura parlamentare paracakton edhe disa afate të tjera”, tha ai.

Sipas tij, askush nuk mund të “na vendosë në një presion afatesh grupin më të madh parlamentar të opozitës që është PD. Natyrshëm kjo çështje do të marrë kohën e vet”.

Deputeti u pyet edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk interpretohen më, përtej këtyre vendimeve nuk ka vendim tjetër”, tha Balla.

Ai theksoi se ky është një vendim i rëndësishëm, sepse lidhet me kontekstin e zhvillimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Më herët, Komisioni i Venecias i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë opinionin paraprak pas dërgimit të disa pyetje që lidhen me ndryshimin kushtetues për zgjatjen e afatit të organeve të vettingut në drejtësi.

Vendimi i ndërmarrë nga Komisoni tregon se mandati për organet e drejtësisë, ku sipas dispozitës kushtetuese rezulton të përfundojë më 17 qershor 2022, me amendamentin e propozuar me nismën ligjore zgjatet deri më 31 dhjetor 2024.

Sipas draftit, “Komisioni i Venecias është i mendimit se shtyrja e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit është në përputhje me standardet”.

Ky opinion po përgatitet në kuadër të Mekanizmit të Koordinimit të Ekspertizës në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Lehtësia Horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

Sipas Komisionit, ai do të nxirret në kohën e duhur dhe do të dorëzohet për miratim në seancën plenare të dhjetorit 2021.

Zgjatja e mandatit të vetting-ut

Ishte data 15 tetor, kur Partia Socialiste depozitoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të vetting-ut.

Kjo erdhi pasi afatet e komisioneve të vetting-ut përfundojnë pesë vite nga momenti i funksionimit.

PS-ja kërkoi që afatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shtyhen deri në 2024-ën.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një komunikim me mediat u shpreh se kjo është një vijueshmëri e Reformës në Drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore