Shqipëria

Balla kërkon të ulet në tryezë me opozitën, për Reformën në Drejtësi


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ftuar opozitën në një tryezë, për të diskutuar mbi disa ndryshime ligjore që duhet të bëhen sa i takon zhvillimit të mëtejshëm të Reformës në Drejtësi në vend.

Nga një fjalë për mediat në selinë e Kuvend, Balla fillimisht përkufizoi se ka uruar të gjithë deputetët dhe drejtuesit e qarqeve për rezultatet e marra në zgjedhjet e 14 majit, ku të majtët arritën të korrnin sukses të madh në 53 bashki të vendit.

Përtej kësaj, puna në Kuvend dhe në komisionet përkatëse mbart rëndësi të madhe sipas Ballës.

“Prej disa muajsh në Kuvendin e Shqipërisë po punohet për një paketë ligjesh që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi”, përshkroi ai situatën, duke saktësuar se së bashku me deputeten Klotilda Bushka, do të kërkohet një tryezë me opozitën, për të folur mbi mënyrën se si këto ndryshime të kërkuara nga institucionet ndërkombëtare, do të implementohen.

Një grup pune i tillë, ku mazhoranca dhe opozita kanë punuar së bashku ekziston sipas Ballës dhe shpresa është që të ketë një ulje të radhës për këtë temë.

“Në këtë kontekst, duhet që për hir të punës së përbashkët të ulemi dhe të diskutojmë çështje që meritojnë që të punojmë së bashku”, shtoi më tej ai.

Megjithatë, në këtë grup të përshkuar nga Balla, nuk përfshihet fraksioni i Sali Berishës, por vetëm deputetët e tjerë të PD-së, të cilët janë nga kampi i partisë zyrtare, që gëzon të drejtën juridike të logos.

Pjesëmarrja e opozitës në tryezë është e domosdoshme për ndryshimet e kërkuara, duke qenë se nevojiten tre të pestat e votave për ndryshime të tilla.

Teksa, diskutimet duhet të fillojnë edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ku priten kandidatura serioze prej mazhorancës dhe opozita po ashtu është e ftuar të marrë pjesë në gjithë zhvillimin.

“E rëndësishme është që Avokati i Popullit të mos jetë i angazhuar politikisht, të mos jetë aktiv në jetën politike, të vijë nga jurisprudenca. Të jetë i baraslarguar nga palët”, përmbylli Balla fjalën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore