Lajme

Balena “spiune ruse” u shfaq edhe në brigjet e Suedisë


Një balenë Beluga e veshur me parzmore që u shfaq në Norvegji në vitin 2019, duke ndezur spekulime se ishte një spiun i trajnuar nga marina ruse, është shfaqur në brigjet e Suedisë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”, duke cituar një organizatë që e ndiqte atë.

E zbuluar për herë të parë në rajonin verior të Norvegjisë, Finnmark, balena kaloi më shumë se tre vjet duke lëvizur ngadalë në gjysmën e sipërme të vijës bregdetare norvegjeze.

Kjo, përpara se të shpejtohej papritur në muajt e fundit për të mbuluar gjysmën e dytë dhe për në Suedi.

Të dielën, ai u vëzhgua në Hunnebostrand, në brigjet jugperëndimore të Suedisë.

“Ne nuk e dimë pse ai është bërë kaq i shpejt krejt papritur”, veçanërisht pasi ai po largohet “shumë shpejt nga mjedisi i tij natyror”, tha për AFP Sebastian Strand, një biolog detar me organizatën OneWhale.

Sipas tij, mund të jenë hormonet që e shtyjnë atë të gjejë një partner.

“Ose mund të jetë vetmia pasi Belugat janë një specie shumë shoqërore – mund të jetë se ai është duke kërkuar për balena të tjera Beluga”, shtoi Strand.

Duke qenë se besohet se është 13-14 vjeç, Strand tha se balena është “në një moshë ku hormonet e tij janë shumë të larta”.

Popullsia më e afërt e Belugas është megjithatë e vendosur në arkipelagun Svalbard, në veriun e largët të Norvegjisë.

Balena nuk besohet të ketë parë asnjë Beluga që nga mbërritja në Norvegji në prill 2019.

Norvegjezët e quajtën atë “Hvaldimir” – një lojë fjalësh për fjalën “balenë” në norvegjisht, hval, dhe një shenjë për lidhjen e supozuar të saj me Rusinë.

Kur ai u shfaq për herë të parë në Arktikun e Norvegjisë, biologët detarë nga Drejtoria Norvegjeze e Peshkimit hoqën një parzmore të bashkangjitur të krijuar nga njeriu.

Parzmorja kishte një montim të përshtatshëm për një kamerë aksioni dhe fjalët “Pajisje Shën Petersburg” të shtypura në kapëset plastike.

Zyrtarët e drejtorisë thanë se Hvaldimir mund të ketë shpëtuar nga një rrethim dhe mund të jetë trajnuar nga marina ruse pasi dukej se ishte mësuar me njerëzit.

Moska nuk lëshoi kurrë ndonjë reagim zyrtar ndaj spekulimeve norvegjeze se ai mund të ishte një “spiun rus”.

Strand tha se shëndeti i balenës “dukej të ishte shumë i mirë” vitet e fundit, duke kërkuar peshk të egër nën fermat e salmonit të Norvegjisë.

Por organizata e tij ishte e shqetësuar për aftësinë e Hvaldimir për të gjetur ushqim në Suedi dhe tashmë kishte vërejtur edhe humbje peshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore