Sport

Balaj bëhet futbollisti më i paguar në kampionatin shqiptar


Klubi shqiptar, Vllaznia e Shkodrës, bëri një nga transferimet më të mëdha në historinë e tyre.

Ata e transferuan ish-sulmuesin e kombëtares së Shqipërisë, Bekim Balajn.

Ky i fundit para pak ditësh mbërriti në Shkodër, duke nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me klubin ku e filloi karrierën e tij.

Kjo ishte një sakrificë e madhe e Vllaznisë, duke e rikthyer Balajn në Superiore, derisa klubi shkodran mposhti konkurrencën e ekipeve kryeqytetase: Tiranës dhe Parizanit.

Por, çfarë page përfiton Balaj me Vllazninë?

Sipas asaj që shkruan mediumi shqiptar, “Panorama Sport”, sulmuesi 32-vjeçar do të përfitojë një pagë prej 12 mijë euro në sezon.

I gjithë transferimi llogaritet të ketë një kosto afro 430 mijë eurosh, ndërsa sulmuesi shkodran do të jetë pa diskutim futbollisti më i paguar i Superiores këtë sezon.

Flitej se një pagë të njëjtë ia kishte ofruar edhe Partizani sulmuesit shkodran, por me një kohëzgjatje sa gjysma e asaj që ia ofroi Vllaznia. Klubi shkodran e bëri diferencën pikërisht me këtë klauzolë: kontrata do të jetë 3-vjeçare.

Përveç kësaj, Balaj tha se e zgjodhi edhe klubin e zemrës. Duke folur për “Supersport”, shkodrani tregoi pse zgjodhi Vllazninë.

“Me Vllazninë kam një lidhje shumë të fortë, fillimisht si tifoz dhe më pas kam pasur fatin të luaj. Prandaj jam shumë i lumtur që rikthehem për të veshur fanellën kuqeblu”, tha Balaj.

“Zgjedhja nuk ka qenë shumë e vështirë, pasi Vllaznia është edhe çështje zemre, më shumë sesa ekonomike”, shtoi ai.

“Unë jam këtu për të ndihmuar skuadrën të arrijë objektivat dhe nuk jam thjesht për të mbyllur karrierën”, ka thënë afrimi i bujshëm i kuqebluve.

Kujtojmë që sulmuesi shkodran numëron 48 ndeshje zyrtare me kombëtaren e Shqipërisë, prej të cilave ka shënuar nëntë gola.

Karrierën e tij, Balaj e zhvilloi në klube të ndryshme si: Genclerbirligi, Sparta Prague, Slavia Prague, Rijeka, Sturm Graz, Akhmat Grozny, etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore