Lajme

Bajrami: Ligji për Paga do të dërgohet në Kushtetuese jo nga opozita, por nga Avokati i Popullit


Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës gjersa po debatohet për dy vjetorin e Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se Ligji për Paga do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Avokatit të Popullit.

Sipas saj kjo ligj ua ka ulur pagat shumë zyrtarëve të administratës publike.

“E keni caktuar koeficientin e pagave 105 euro duke ua ulë pagat dhjetëra mijëra qytetarëve në administratë publike. Për shkak të ankesave sot Ligji për Pagat përfundon në Gjykatën Kushtuese. Dërgesën s’do e bëjë opozita, por Avokati i Popullit”, ka pohuar ajo.

Ajo më tej gjatë fjalimit të saj ka kritikuar punën e Qeverisë, duke thënë se në dy vjet qeverisje nuk është bërë asgjë në Kosovë.

“Asnjë punë, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë rrugë, asnjë shkollë, zero transparencë, institucione vakante jofunksionale, ky është bilanci i qeverisë Kurti. Keni ardhur në pushtet me premtime të mëdha. Krejt politika juaj ekonomike është reduktuar në lëmoshë”, ka shtuar ajo.

Gjersa ka folur për transparencën e Qeverisë së Kosovës, Bajrami ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në opozitë thoshte se familjarët janë për dasma, ndërsa “sot dasmat lirisht mund t’i bënë në institucione se krejt familjarët i keni aty”.

“Kurti në opozitë ka premtuar se nuk do të paguaj energji elektrike për serbët e veriut por për dy vite ka paguar plot 98 milionë euro. Çka ndodhi ku mbeten premtime ku mbetën ndryshimet? Ku është banka zhvillimore e fondi sovran? Kemi rënie të prodhimit vendor dhe rënie të konsumit. Është rritur tatimi në pronë, punësim ka në Gjermani por në Kosovë nuk ka. Besoj që duhet të ju vij turp për votat që i keni marrë, për këto dy vjet nuk e keni pasur asnjë pengesë të vetme për realizimin e programit tuaj qeverisës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore