Lajme

Bajqinovci nga Bërnjaku: “Sovraniteti i shtetit tonë është i pacenueshëm dhe ne punojmë pareshtur për ta ruajtur atë!”


Disa anëtarë të Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje në vizitë në pikën kufitare në Bërnjak

Pika kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Bërnjak, këtë të martë kishte mysafirë të veçantë.

Organet e sigurisë në këtë vendkalim kufitar u vizituan nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje.

Si anëtar i këtij Komisioni, Mefail Bajqinovci ka shkruar një shkrim të shkurtër në llogarinë e tij në Facebook, duke treguar se vizita e tyre ishte e fokusuar në kushtet e punës dhe sigurisë, në këtë pikë kufitare të Kosovës.

“Unë edhe më herët i kam vizituar institucionet e sigurisë në këtë regjion, në cilësinë e deputetit”, ka shkruar Bajqinovci, por “sot këtë vizitë e realizuam si anëtarë të Komisionit parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Si komision u interesuam edhe për kushtet e punës, por edhe për situatën e sigurisë!”.

Bajqinovci ka shtuar se sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm dhe se Qeveria Kurti po e shtrinë atë në tërë territorin e shtetit.

“Sovraniteti i shtetit tonë është i pacenueshëm dhe ne punojmë pareshtur për ta ruajtur atë! Qeveria dhe institucionet tona të sigurisë janë duke e shtrirë sovranitetin cep më cep në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

Në këtë vizitë në Bërnjak, ishte edhe kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha.

Ky i fundit përveç njoftimit që ishte në këtë vizitë nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër.

Kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore