Lajme

Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulme terroriste në Veri


Të dyshuarit për sulme terroriste në Veri.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve B.S., dhe D.M., të cilët dyshohen për sulme terroriste në Veri në Banjskë të Zveçanit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Po iu është caktuar masa prej një muaji paraburgim”, ka thënë Gashi.

Edhe avokati i njërit prej të dyshuarve për sulm terrorist në Veri ka bërë të ditur se është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, duke thënë se do të paraqesin një ankesë kundër kësaj mase të caktuar nga autoritetet gjyqësore.

Maksimoviç, e ka bërë të ditur këtë në një prononcim për media.

“D.M., sot i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ne do të parashtrojmë ankesë dhe kemi paraqitur disa fakte që mendojmë se janë relevante dhe që tregojmë për diçka që ndoshta është më shumë mosmarrëveshje se sa që ka lidhje me veprën penale”, tha avokati.

Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulme terroriste në Veri.

Ai ka potencuar se do të jenë në pritje të përgjigjes nga Gjykata për mënyrën e trajtimit të ankesës.

“Paralajmëroj për nesër ankesë dhe do ta shohim se si gjykata do ta trajtoj këtë ankesë tonën. Klienti im dje nuk ishte në gjendje të jap deklaratë. Ishte pak i shqetësuar për gjithë që ndodhi, por unë do të kërkoj që ai të merret në pyetje sa më parë, nëse është e mundur që nesër”.

“Gjykimi është i mbyllur për opinionin dhe askush nga ne nuk ka autorizim që të jap detaje. Mendoj se ai do t’i thotë të gjitha për rastin”, ka deklaruar ai.

Edhe motra e të dyshuarit për sulm terrorist në Veri, Biljana Maksimoviç, është deklaruar shkurt për mediat duke thënë e bindur se hetimet do të tregojnë të vërtetën.

“Hetimet do ta tregojnë të vërtetën lidhur me rastin e vëllait tim”.

“Të gjithë, të gjithë jemi pran tij”, ka deklaruar ajo.

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore